Jony Ive, personi përgjegjës për dizajnimet legjendare të pajisjeve iPhone, iPod dhe Mac, po e braktis kompaninë Apple pasi që në Kupertino i ka kaluar më shumë se dy dekada.
Ai njoftoi se aventura e ardhshme në jetën e tij do të jetë krijimi i agjencisë së tij kreative, e quajtur LoveFrom. Agjencia do të fillojë punën në vitin 2020, ndërsa Apple do të jetë klienti i saj i parë, raporton GSMArena.
Ive nuk do ta ketë menjëherë trashëgimtarin në pozicionin e tij. Duke folur për largimin e tij nga Apple, Ive komentoi: "Ky thjesht dukej si një moment i natyrshëm dhe i matur për ta bërë ndryshimin".
Tim Cook, CEO i kompanisë Apple, vuri në dukje se grupi i tij i dizajnuesve është më i fortë se kurrë, ndërsa kompania do të vazhdojë të punojë dhe të bashkëpunojë me Ive, por në rrethana të tjera, shkruan KOHA Ditore.
Në një intervistë, Ive tha se do të vazhdojë të punojë në teknologjitë e bartshme dhe pajisjet/shërbimet e kujdesit shëndetësor, ndërsa këto janë dy prioritete strategjike të kompanisë Apple nëse vazhdon shitja e reduktuar e iPhone. Ndarja nga Apple dhe puna në një agjenci kreative do t’ia mundësojë Ive të punojë si një nënkontraktor për kompaninë Apple, por nuk do ta kufizojë atë, sepse do të jetë në gjendje të punojë edhe në projekte për kompani të tjera.