Gjithçka nisi nga një garazh i vogël në Kaliforni, ndërsa tani kompania Apple është kthyer në një gjigant global teknologjik.
Apple feston 50-vjetorin e themelimit të saj këtë javë. Historia e kompanisë nis në vitin 1976, kur Steve Wozniak projektoi një pllakë kompjuterike. Miku i tij, Steve Jobs, pa menjëherë potencialin tregtar dhe kështu lindi Apple, raportoi të mërkurën Reuters.
Gjatë pesë dekadave, kompania ka transformuar industrinë e teknologjisë dhe kulturën popullore, duke sjellë fillimisht kompjuterët personalë në shtëpi dhe më pas duke revolucionarizuar komunikimin përmes telefonave inteligjentë.
iPhone u bë produkt kyç që ndryshoi mënyrën se si njerëzit përdorin teknologjinë, ndërsa Apple popullarizoi aplikacionet mobile dhe integrimin e ngushtë mes pajisjeve dhe softuerit.
Megjithatë, në përvjetorin e saj të 50-të, Apple përballet me sfida të reja. Në epokën e inteligjencës artificiale, rivalë të fuqishëm si Alphabet dhe Microsoft po investojnë dhjetëra miliarda dollarë për të marrë epërsinë. Që nga lansimi i ChatGPT-së në vitin 2022, aksionet e Applet kanë pasur performancë më të dobët krahasuar me disa prej kompanive të mëdha teknologjike.
Analistët vlerësojnë se kompania ka qenë e vonuar në prezantimin e disa funksioneve të avancuara të inteligjencës artificiale. Ndërkohë, kompani si OpenAI po punojnë për pajisje të reja me AI që mund të sfidojnë dominimin e smartfonëve.
Edhe
50 vjet Apple, hapen dyert e muzeut të ri në Holandë
Pavarësisht kësaj, produktet e Applet vazhdojnë të jenë shumë të kërkuara në treg. Seria më e fundit e iPhone 17 ka nxitur shitje të forta, ndërsa MacBook Neo, laptopi më i lirë i kompanisë, ka pasur nisje të suksesshme.
Nga ana financiare, Apple mbetet një nga kompanitë më të vlefshme në botë, me të ardhura vjetore që pritet të arrijnë rreth 465 miliardë dollarë.
Rruga e Apple nga Apple I, një produkt i thjeshtë i ndërtuar në një garazh, deri te pajisjet moderne si iPod, Apple Watch dhe kufjet pa tela dëshmon për një histori të gjatë inovacioni. Megjithatë, e ardhmja e saj do të varet nga aftësia për të konkurruar në epokën e inteligjencës artificiale dhe për të ruajtur pozicionin si një nga liderët kryesorë të teknologjisë globale.