Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Jeta në “1984” të Orwellit, realitet në vitin 2024

Ambiciet e Kinës janë që të bëhet lidere e botës në inteligjencën artificiale deri në vitin 2030. Shumë njerëz vlerësojnë se kapacitetet e saj në këtë lëmë janë shumë përtej Bashkimit Evropian. Në vitin 2019, Kina la prapa Shtetet e Bashkuara në numrin e patentave të siguruara nga institucionet akademike për inovacion në teknologjitë e inteligjencës artificiale

Jeta e paraqitur në kryeveprën e shkrimtarit britanik George Orwell, “1984”, mund të bëhet realitet në vitin 2024”, nëse ligjvënësit nuk mbrojnë publikun nga inteligjenca artificiale, ka tërhequr vërejtjen presidenti i kompanisë teknologjike “Microsoft”.

Në një intervistë për emisionin e BBC-së “Panorama”, Brad Smith ka thënë se do të jetë fort e vështirë që të përballohet avancimi i shpejtë i teknologjisë. Gjatë edicionit të kësaj jave të “Panoramas” është folur për përdorimin e madh të inteligjencës artificiale nga ana e Kinës për të monitoruar qytetarët e saj. Kritikët frikësohen se dominimi i shtetit në inteligjencën artificiale mund të kërcënojë demokracisë.

“Nëse nuk miratojmë ligjet që mbrojnë qytetarin në të ardhmen, atëherë teknologjia do të jetë para nesh dhe do të jetë e vështirë për t’u kapur”, ka thënë Smith. “Vazhdimisht më vijnë ndërmend mësimet e George Orwellit nga libri i tij ‘1984’. E dini thelbin e atij libri.. ka të bëjë me një qeveri që sheh dhe dëgjon çdo gjë që bëhet dhe thuhet gjatë gjithë kohës”, ka shtuar shefi i “Microsoftit”.

“Nejse kjo [formë e mbikëqyrjes] nuk u arrit në vitin 1984, por nëse nuk jemi të kujdesshëm, mund të vijë në jetë në vitin 2024”, ka tërhequr vërejtjen Smith.

Në disa pjesë të botës, vlerëson presidenti i kompanisë së madhe amerikane, realiteti është pothuajse i njëjtë me ato që thuhen në librin e shkrimtarit britanik.

Forcimi i Kinës

Ambiciet e Kinës janë që të bëhet lidere e botës në inteligjencën artificiale deri në vitin 2030. Shumë njerëz vlerësojnë se kapacitetet e saj në këtë lëmë janë shumë përtej Bashkimit Evropian.

Në vitin 2019, Kina la prapa Shtetet e Bashkuara në numrin e patentave të siguruara nga institucionet akademike për inovacion në teknologjitë e inteligjencës artificiale.

54 për qind e 770 milionë kamerave të sigurisë së botës ekzistojnë vetëm në Kinë, thuhet në një hulumtim të “Comparitech”.

Eric Schmidt, ish-shef ekzekutiv i gjigantit teknologjik “Google” dhe tani anëtar i Komisionit amerikan për Siguri Kombëtare mbi Inteligjencën Artificiale, ka tërhequr vërejtjen se mposhtja e Kinës në inteligjencë artificiale është pothuajse e pamundur.

“Ne jemi në një konflikt gjeopolitik me Kinën. Mënyra për të fituar është bashkimi i gjithë burimeve tona në krijimin e strategjive kombëtare dhe botërore që demokracitë të fitojnë mbi inteligjencën artificiale”, ka thënë Schmidt.

“Nëse nuk veprojmë kështu, do të ndodhemi para një të ardhmeje në të cilën vlerat e tjera do të na imponohen”.

Lufta e ftohtë teknologjike

Lan Xue, këshilltar i Qeverisë kineze, ka thënë se teknologjia e njohjes së fytyrës mund të jetë “shumë ndihmesë” në identifikimin e njerëzve në tubime të mëdha, nëse ndodh ndonjë incident.

“Kina ka bërë progres të jashtëzakonshëm në zhvillimin e teknologjisë. SHBA-ja vlerëson se kjo është kërcënuese dhe do të nisë një luftë të ftohtë teknologjike”, ka thënë Xue.

Ani pse Kina ka dallime të mëdha në vlera dhe politikat e saj, vizioni i shtetit për botën nuk është konvergjencë por bashkekzistencë”, ka thënë Key Jin, profesoreshë e asociuar në “London School of Economics”. “Kina nuk do që të eksportojë vlerat e saj”, ka shtuar ajo.

Schmidt u bë këshilltar në Pentagon, teksa mbajti pozitën e drejtorit ekzekutiv në kompaninë “Alphabet”, pjesë e “Googles”.

Gjatë viteve Google nënshkroi një kontratë me Pentagonin me të cilën lejonte përdorimin e teknologjisë së njohjes së pamjeve, si pjesë e një projekti ushtarak.

Projekti “Maven” përdori pajisjen për njohjen e njerëzve dhe objekteve nëpër videot e dronëve.

“Maven në atë kohë ishte një mënyrë e zëvendësimit të syrit të njeriut me një vizion automatik të pamjeve të dronit që përdoreshin në konfliktet arabe”, ka thënë Schmidt. “Përdorimin e teknologjisë e shihja si gjë pozitive për sigurinë kombëtare dhe për partneritetin me Googlen”.

Mirëpo projekti mori kritika nga punëtorët e Googles që e dizajnuan atë dhe bën peticion kundër projektit.

“Google nuk duhet të përfshihet në biznesin e luftës”, ka thënë inxhinierja softuerike Laura Nolan që dha dorëheqje në vitin 2018, kur mësoi natyrën e projektit në të cilin po punonte Google. “E ndjeva se duart i kisha të lara me gjak”.

Ajo ka argumentuar se teknologjia mund të përdoret në vendimet për kapjen e të kërkuarve.

Mirëpo Google është arsyetuar se inteligjenca e saj artificiale do të përdoret vetëm për qëllime josulmuese, para se të tërhiqej krejtësisht nga projekti në tetorin e vitit 2018.

Schmidt ka thënë se e ndiente që teknologjia mund të ndihmonte ushtrinë në marrjen e vendimeve sa më të mira.

Mirëpo Departamenti amerikan i Mbrojtjes vazhdon të kërkojë partnerë në Silicon Valley, me qëllim që të fitojë betejën e armëve me inteligjencë artificiale.

Seth Moulton, shef i Task Forcës për Mbrojtjen e së Ardhmes”, ka kërkuar nga kompanitë teknologjike që të përkrahin Departamentin e Mbrojtjes.

“Për shkak se jemi në një garë dhe në një konkurrencë na duhet ndihmë. A do të na ndihmoni në këtë garë apo do të jeni kundër nesh?”, ka thënë ai.

“Kina nuk e ka sistemin e njëjtë të qeverisjes siç e kemi ne. A mund të nxitet konflikti me Kinën për shkak të garës për armët me inteligjencë artificiale? Patjetër”, ka shtuar ai.

Xue është pajtuar se ka potencial për konflikt.

“Mirëpo nuk është i pashmangshëm – SHBA-ja dhe Kina duhet të bashkëpunojnë për të parandaluar këtë skenar”, ka thënë Xue.

 

Artikuj të ngjashëm