Ministri japan i digjitalizimit, Taro Kono, i ka “shpallur luftë” floppy disqeve dhe mjeteve të tjera teknologjike të vjetruara, të cilat ende po përdoren dhe po kërkohen nga burokratët.
Rreth 1,900 procedura qeveritare ende u kërkojnë bizneseve që të përdorin floppy disqet, e po ashtu CD-të dhe mini-disqet, ka thënë Kono, raportoi BBC të enjten.
Ai ka shtuar se rregullat do të ndryshojnë, në mënyrë që njerëzit të mund të përdorin shërbimet online.
Pavarësisht reputacionit të saj për pajisje inovative të teknologjisë së lartë, Japonia është e njohur për ruajtjen e teknologjisë së vjetruar, përmes kulturës së saj të zyrës.
Floppy-disqet janë krijuar në fund të viteve të 60-ta, mirëpo kanë dalë nga përdorimi tri dekada më vonë, falë zgjidhjeve më eficente të ruajtjes së dokumenteve.
Sipas njohësve të teknologjisë, më shumë se 20,000 floppy-disqe nevojiten për ta zëvendësuar një pajisje moderne të memories, e cila mund të ruajë 32GB të informatave.
Një komitet qeveritar japonez ka zbuluar rreth 1,900 zona të cilat u kërkojnë bizneseve që të përdorin vegla të tilla si floppy-disqet në raste të aplikimeve të ndryshme, apo për ruajtjen e të dhënave të tyre.