Botë

Të rinjtë japonezë përpiqen ta kufizojnë përdorimin e telefonit në vetëm dy orë në ditë

Të rinjtë japonezë përpiqen ta kufizojnë përdorimin e telefonit në vetëm dy orë në ditë

Autoritetet në Japoni po ndërmarrin masa për të ndikuar në zvogëlimin e kohës së tepruar që njerëzit kalojnë në telefon - por si është realisht të kufizosh veten në vetëm 120 minuta përdorim në ditë? Të rinjtë japonezë nga qyteti Toyoake rrëfejnë sfidat e tyre nga kjo masë

Pavarësisht se punon me orar të plotë për një kompani në Tokio, Shoki Moriyama arrin gjithsesi të gjejë kohë për të kaluar plot tetë orë në ditë në telefonin e tij të mençur.

“Kam nevojë për telefonin për ta orientuar veten në këtë ‘luftë informacioni’ që po ndodh sot”, thotë Moriyama, i cili në moshën 25-vjeçare i përket një gjenerate që mezi e imagjinon jetën pa lëvizjen e pandërprerë të gishtit nëpër lajme, rrjete sociale, aplikacione mesazhesh dhe video të çuditshme që qarkullojnë online.

Dhe nuk është i vetmi. Ani pse përdorimi i tepruar i telefonave është një dukuri globale, autoritetet në Japoni kanë filluar të ndërhyjnë seriozisht, për shkak të shqetësimeve në rritje mbi ndikimet negative që ka kjo varësi si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë psikologjik, veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë.

Javën e kaluar, qyteti Toyoake, i cili ndodhet në Japoninë qendrore, ndërmori një hap të pazakontë duke prezantuar një masë që synon të kufizojë përdorimin ditor të telefonit për 69.000 banorët e tij në vetëm dy orë në ditë. Zyrtarët e qytetit thanë se ky veprim synon të përballet me të dhënat në rritje që tregojnë për varësi nga interneti dhe mungesë të theksuar të gjumit. Kjo rregullore, e miratuar nga asambleja e qytetit muajin e kaluar, nuk përfshin ndëshkime për ata që nuk e respektojnë atë. Pra mbetet më shumë një apel moral sesa një ligj i detyrueshëm.

Rezultate të ndryshme

Moriyama ishte ndër disa të rinj të moshës rreth të 20-ave që pranuan sfidën e vendosur për të kufizuar përdorimin e telefonit në maksimum dy orë në ditë dhe për të ndarë përvojat e tyre personale gjatë këtij eksperimenti.

Rezultatet ishin të ndryshme  - disa arritën sukses të plotë, ndërsa të tjerë dështuan krejtësisht.

Moriyama, i cili zakonisht kontrollon vazhdimisht aplikacionin LINE - një “super-aplikacion” shumë i popullarizuar në Japoni për mesazhe, lajme dhe argëtim - si dhe TikTokun, Instagramin dhe X-in (ish-Twitter), e pranoi se të qëndruarit larg këtyre platformave, apo edhe thjesht kufizimi i përdorimit të tyre në mënyrë drastike, ishte një përpjekje shumë sfiduese për të.

“Kaloj rreth tetë orë në ditë në telefonin tim, kështu që dy orë janë thjesht shumë pak... nuk më mjaftojnë për të qëndruar i përditësuar me gjithçka që ndodh”, thotë ai. “Në fund, e përdora telefonin për një orë e 50 minuta, që për mua përbën një ulje të madhe krahasuar me kohën që zakonisht kaloj para ekranit. Kohën shtesë e shfrytëzova për të lexuar një libër, për të studiuar pak dhe për të shkuar në palestër - kështu që dita ime nuk shkoi dëm”.

Kolegia e tij, Tomomi Hanaoka, gjithashtu arriti ta kontrollojë zakonin e saj. “Në ditët e javës kaloj rreth tri orë në telefon, ndërsa gjatë fundjavave deri në gjashtë apo shtatë orë, kështu që dy orë më dukeshin shumë pak. Mendoj se shumica e njerëzve kanë nevojë për të paktën tri deri në katër orë”, thotë Hanaoka, e cila rrallë ndahet nga aplikacionet LINE, TikTok dhe Instagram.

“Megjithatë, arrita ta mbaja përdorimin brenda kufirit prej dy orësh dhe kohën e lirë e përdora për të lexuar dhe për të bërë gjëra të tjera që zakonisht i anashkaloj”.

Akari Saito, një studente universitare, e shprehu që në fillim rezervën e saj, duke thënë: “Sepse kam një natyrë të tillë që, kur i vë vetes kufizime, më lind menjëherë dëshira për të bërë të kundërtën”.

Saito e përshëndeti nismën e qytetit Toyoake si një pikënisje të mirë për një debat më të gjerë mbi përdorimin e telefonave, por theksoi se vëmendja duhet të përqendrohet më shumë në cilësinë e kohës që kalojmë para ekranit sesa në sasinë. “Megjithëse, dallimi mes asaj që është mësim dhe asaj që është argëtim online, nuk është gjithmonë i lehtë”.

Hasja në vështirësi

Me gjithë përpjekjen e saj të madhe, Saito pati vështirësi për të reduktuar kohën që kalon në telefon, e cila zakonisht është tri deri në katër orë në ditë. “E pata shumë të vështirë të mos e përdor telefonin gjatë udhëtimeve me tren për në universitet, ose kur ecja rrugës. Por mund të them se e kuptoj tashmë që ulja e përdorimit të telefonit mund ta bëjë ditën të duket më e gjatë dhe më kuptimplotë”.

Yuri (emër i ndryshuar), një tjetër pjesëmarrëse në eksperiment, tashmë e kishte provuar më parë të kufizonte përdorimin e telefonit, veçanërisht kur afrohen provimet. Ajo ka shkuar deri aty sa të fshehë aplikacionin Instagram dhe të vendosë një kod sigurie për ta bllokuar veten nga tundimi.

Ajo përdor telefonin për të kontrolluar rrjetet sociale, për të kërkuar receta gatimi, për të dërguar mesazhe dhe për të pasur qasje në materiale studimore - megjithatë, koha e gjatë para ekranit i shkakton dhimbje koke dhe lodhje të syve.

“E vë në dyshim faktin që rregullorja rekomandon drejtpërdrejt kufizimin e kohës në telefon. Nëse qëllimi është të inkurajohet reflektimi mbi mënyrën e përdorimit të telefonit, atëherë njerëzit duhet të nxiten të vendosin vetë rregullat e tyre”, thotë ajo.

“Megjithatë, në përgjithësi jam dakord me idenë e një përdorimi më të vetëdijshëm të telefonit - kjo për shkak se unë nuk e përdor telefonin për hobet dhe interesat e mia kryesore. Por për njerëzit që e përdorin kryesisht për argëtim dhe për të larguar stresin, masa të tilla do të jenë shumë më të vështira për t’u pranuar”.

Kryetari i bashkisë së Toyoakes, Masafumi Koki, mbrojti masën që kishte shkaktuar dhjetëra ankesa nga banorët, të cilët e akuzuan administratën lokale për ndërhyrje në jetën e tyre private.

Duke theksuar se edhe ai vetë përdor rregullisht telefonin e mençur për të ndjekur rezultatet e ndeshjeve të bejsbollit apo për të parë harta, por e lë mënjanë gjatë vaktit të darkës, Koki tha se ishte i shqetësuar për faktin që fëmijët dhe të rinjtë po sakrifikonin gjumin dhe kohën me familjen në favor të rrjeteve sociale, mesazheve dhe përdorimit të tepërt të telefonit.

Pas një vale kritikash në internet - prej të cilave disa pretendonin gabimisht se kufizimi prej dy orësh do të zbatohej me detyrim - ai i tha gazetës “Mainichi Shimbun”: “Nëse dikush dëgjon për kufirin dyorësh, do të ndalet për një çast dhe do të reflektojë mbi kohën që vërtet kalon në telefon. Pikërisht ky është qëllimi”.

Sipas një ankete të publikuar këtë vit nga Agjencia për Fëmijë dhe Familje, të rinjtë japonezë kalojnë mesatarisht mbi pesë orë në ditë në internet gjatë ditëve të javës.

Megjithatë, Aya (emër i ndryshuar), një studente universitare, kalon dukshëm më shumë kohë në pajisjen e saj - rreth tetë orë çdo ditë.

“Nuk munda ta kufizoja veten vetëm në dy orë, por fakti që u bëra më e vetëdijshme për këtë sfidë, më ndikoi realisht”, thotë ajo. “Në fund, arrita të reduktoj përdorimin e zakonshëm të telefonit me rreth 60%, çka m’u duk një arritje e ndjeshme”. Ajo pranon se gjatë kësaj periudhe kishte përdorur telefonin për të parë plane udhëtimi apo për të kontrolluar emailet dhe mesazhet.

Aya e mbështet nismën e Toyoakess dhe beson se mungesa e ndëshkimeve ligjore është ndoshta forca më e madhe e saj.

“Pikërisht kjo e bën të vlefshme… çdo njeri duhet të vendosë vetë rregullat e veta dhe të përshtatet sipas tyre. Është një mundësi e rëndësishme për të reflektuar në mënyrë konkrete mbi zakonet tona të përditshme, jo thjesht në mënyrë abstrakte”, shpjegon ajo.

Aya shton se nuk i ka munguar koha që zakonisht e kalonte “duke qëndruar pa qëllim nëpër telefon”.

“Kalova më shumë kohë duke biseduar me të tjerët dhe duke vënë re më shumë rreth vetes. Dita m’u duk më kuptimplotë”, thotë ajo.

Këto fjalë janë muzikë për veshët e kryebashkiakut Koki. Në prag të eksperimentit të shumëdebatuar të qytetit të tij, ai theksoi se masa do të kishte vlerë.

“Kjo ka të bëjë me gjumin, familjen dhe mirëqenien”, tha ai. “Nëse kjo nismë bën që edhe vetëm disa persona të ndalen dhe të flasin për zakonet e tyre, atëherë ajo po jep rezultat”.