Përveç implementimit të rrjetit 5G, zvogëlimit maksimal të kornizave rreth ekranit, një tjetër trend është paraqitur gjatë vitit të kaluar, që do të pranohet gjerësisht në vitin 2019 – mbushja e ndërsjellë pa tel. Këtë opsion e ka pasur Huawei Mate 20 Pro, e ka edhe P30 Pro i ri. Samsung i është bashkuar me linjën Galaxy S10, dhe si duket do të bashkohet edhe Apple, përcjell GSMArena.
Sipas raportit më të ri, të publikuar nga analisti i njohur Ming-Chi Kuo, Apple këtë teknologji do ta implementojë në modelet e veta të ardhshme të këtij viti, që priten gjatë vjeshtës. Me këtë funksion telefonat e rinj iPhone do të munden që pa tel të mbushin modelet tjera iPhone dhe kufjet e reja AirPods me Wireless Charging Case, sikurse edhe çdo pajisje tjetër kompatibile me standardin Qi, shkruan KOHA Ditore.
Kuo thekson që Compeq do të sigurojë pllakat për bateritë, ndërsa STMicro për Apple do të ofrojë kontrollorin për mbushje pa tel. Që të funksionojë krejt kjo, pritet që edhe kapaciteti i baterisë së modeleve të reja të iPhone të rritet. Pasardhësi i modelit iPhone XS Max do të mund të ketë bateri për 10 deri 15 për qind më të madhe, ndërsa pasardhësi i Apple iPhone XS do të mund të ketë bateri për 20 deri 25 për qind më të madhe. Për pasardhësin e iPhone XR parashikohet rritje prej vetëm 0 deri 5 për qind.