Tech

iPad Pro i sivjetshëm mund ta ketë të njëjtin sistem kamerash si iPhone 11 Pro

Apple e prezantoi këtë vit iPhone 11 Pro, i cili dallohet me dizajnin me tri kamera në pjesën e pasme. Ata që nuk janë adhurues të estetikës që e ka zgjedhur Apple, me siguri do të zhgënjehen me informacionin se kompania planifikon të aplikojë dizajn të ngjashëm në modelin e sivjetshëm të iPad Pro, çfarë shihet edhe nga renderi i fotografive të cilin e ka publikuar Sonny Dickson, raporton Neowin.

Pajisja në foto është një dizajn prototip, i bazuar në informacionet zyrtare që janë shfaqur për tabletin dhe do të duhej të jetë një replikë e cila i afrohet harduerit përfundimtar, shkruan KOHA Ditore. Sidoqoftë, është e mundur që zgjatimi për kamera do të duket ndryshe në produktin që arrin në treg.

Pritet që iPad Pro ta ketë cilësinë e kamerave që e kanë telefonat e Apple, gjë që do ta lehtësojë krijimin dhe procesimin e fotove dhe videove në një pajisje. iPad Pro me siguri do të vijë me çipsetin e Apple, A13 Bionic, dhe është e mundur që do të prezantohet gjatë tetorit.