Tech

Instagrami teston mjete të reja për verifikimin e moshës

Instagrami ka njoftuar të enjten se po teston opsione të reja për përdoruesit për të verifikuar moshën e tyre në platformë, duke filluar me ata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan Reuters.

Kjo platformë ka thënë se po teston dy mënyra të reja për të verifikuar moshën e një personi, përveç kërkesës për dhënien e të dhënave sa i përket identitetit të tyre.

"Kur e dimë nëse dikush është adoleshent (13-17 vjeç), ne i ofrojmë përvoja të përshtatshme për moshën, si për shembull parandalimi i kontakteve të padëshiruara nga të rriturit dhe kufizimi i opsioneve që reklamuesit kanë për t'i kontaktuar ata”, ka thënë Erica Finkle, drejtoreshë e qeverisjes së të dhënave në kompaninë Meta.

Instagrami ka thënë se ka bashkëpunuar me Yotin, kompani që është e specializuar në verifikimin e moshës në internet për të siguruar privatësinë e përdoruesve.

Përdoruesit mund të ngarkojnë një video selfie për të verifikuar moshën e tyre, pas së cilës teknologjia e Yotit vlerëson moshën e tyre bazuar në tiparet e fytyrës.

Ky hap po merret pasi Instagrami ndaloi krijimin e Instagram Kids vitin e kaluar, pasi mori kritika dhe kundërshtime për projektin.

Instagram Kids pretendohet se kërkonte lejen e prindërve për t'u bashkuar dhe supozohet të ofronte përmbajtje pa reklama, të përshtatshme për moshën, por ligjvënësit amerikanë i kërkuan kompanisë të hiqte dorë nga plani i saj, duke përmendur shqetësimet e sigurisë.