Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Huawei më nuk mund të shfrytëzojë kartelat microSD në telefonat e ardhshëm

Efektet e ndalimit të Huawei nga SHBA-ja vazhdojnë të rriten, ndërsa tani kompanisë kineze i është ndaluar edhe të qenit anëtare e SD Association (grupacionit që miraton standardizimin e specifikimeve për kartelat SD dhe microSD).

Me fjalë të tjera, Huaweit më nuk i lejohet që të implementojë përkrahjen zyrtare për kartelat SD dhe microSD në telefonat ose laptopët e ardhshëm, përcjell The Verge.

SD Association ka konfirmuar që largimi i kompanisë Huawei nga grupacioni është pasojë direkte e urdhëresës së administratës amerikane, që është goditja më e re për kompaninë kineze. Kartelat SD dhe microSD do të vazhdojnë të punojnë në harduerin ekzistues Huawei, por jo edhe në produktet e ardhshme të kësaj kompanie.

SD Association nuk është e para që ka ndërprerë bashkëpunimin me kompaninë Huawei – këtë më herët e kanë bërë edhe Google, ARM, Intel, Qualcomm dhe Broadcom. Wi-Fi Alliance po ashtu ka pezulluar përkohësisht anëtarësinë e kompanisë Huawei në këtë organizatë. Huawei e kishte braktisur vullnetarisht JEDEC (që definon specifikimet RAM), shkruan KOHA Ditore.

Sikurse edhe për disa ndalesa të tjera, Huawei ka zgjidhje edhe për problemin e ndalimit të përdorimit të kartelave SD/microSD. Kjo kompani tashmë një kohë është duke u përgatitur për një situatë të tillë dhe ka Nano Memory Cards të vetat (në foto), që janë më të vogla se kartelat microSD dhe që në pajisjet më të reja kanë zëvendësuar standardin universal.