Agjencia Kombëtare amerikane e Sigurisë dhe homologia e saj britanike kanë lëshuar një alarm të pazakontë në tetor: Rusët po kthehen dhe atë akoma më fuqishëm.
Grupet e lidhura me agjencitë e Inteligjencës të Rusisë, kanë cekur ato, janë gjurmuar së fundi tek frekuentojnë rrjetin e një njësiti elit iranian të hakimit dhe po sulmojnë qeveritë dhe kompanitë private në Lindje të Mesme e Britani – me shpresën që për krejt këtë kërdi në fund të fajësohet Irani, shkruan sot Koha Ditore.
Për zyrtarët federalë dhe shtetërorë të angazhuar në mbrojtjen e zgjedhjeve presidenciale amerikane të 2020-s, ishte ky një mesazh i qartë se lufta e ardhshme kibernetike nuk do të jetë e njëjtë me atë të fundit. Horizonti po zgjerohet dhe barra mbi rrjetet iraniane ishte tregues se me çka përballen zyrtarët dhe ekspertët amerikanë të sigurisë së zgjedhjeve, në kohën kur SHBA-ja po hyn në atë që duket si periudhë e shëmtuar e fushatës zgjedhore, dominuar prej hakimeve dhe dezinformimeve.
Masat amerikane të mbrojtjes janë përmirësuar në këta katër vjetët e fundit, që kur hakerët dhe trollët rusë e zgjeruan fushatën për manipulimin e zgjedhjeve të 2016-s. “Facebooku” u është vënë në kërkim kërcënimeve që mezi se dinte që ekzistonin më 2016, si reklamimet e rreme të paguara në rubla prej logimeve nga Shën Petersburgu. Zyrtarët zgjedhorë po trajnohen për manipulimet digjitale. Zyrtarët ushtarakë po e shqyrtojnë mundësinë e përqafimit të luftës së informimit dhe hakmarrjes kundër ndërhyrjes zgjedhore nga hakerët rusë.
Megjithëkëtë, intervistat me dhjetëra zyrtarë e ekspertë tregojnë se shumë prej pikave të dobëtave të shfrytëzuara nga Moska më 2016 mbesin akoma. Shumica e fushatave politike nuk e kanë gatishmërinë që të shpenzojnë për krijimin e masave efektive të mbrojtjes. Miliona amerikanë janë ende të prirë që t’i konsumojnë lajmet e rreme. Dhe ata të angazhuarit për mbrojtjen e zgjedhjeve amerikane ende përballen me të njëjtën sfidë qendrore si para katër vjetësh: ta dallojnë dhe pengojnë çdo sulm të mundshëm para se ai të mund ta pengojë votimin apo të mbjellë dyshim lidhur me rezultatin. Është kjo një detyrë e vështirësuar akoma më tepër nga kërcënimet e reja ndaj zgjedhjeve prej rivalëve amerikanë, si Irani, i cili tani ka motiv edhe më të madh për të ndërhyrë më 2020 pas sulmit me dron që e la të vrarë gjeneralin kryesor të tij.
Kaosi është esenca
Rusët ishin aktivë më 2016, sepse e patën këtë mundësi: I kishin zënë amerikanët në befasi. Tani hakerët dhe trollët, të cilët pak a shumë janë demaskuar prej inteligjencës amerikane, po punojnë akoma më fort për t’i mbuluar gjurmët e tyre. Ata, siç e thotë një zyrtar amerikan i Inteligjencës, “po i azhurnojnë” operacionet e tyre.
Njëra prej dy njësiteve ruse të inteligjencës që kishte hakuar të dhënat demokrate më 2016, njohur si “Fancy Bear”, ka ndryshuar mënyrën e funksionimit nëpër serverët në SHBA në përpjekje për t’i shmangur NSA-në dhe agjencitë e tjera amerikane të spiunimit, të cilat janë të kufizuara me ligj që të veprojnë jashtë vendit, kanë thënë zyrtarët federalë. Njësiti tjetër, “Cozy Bear”, ka braktisur infrastrukturën e vet të hakimit gjashtë muaj më parë dhe është larguar prej radarit, kanë thënë analistët e sigurisë.
Trollët në “Internet Research Agency” – një grup ky tanimë jofunksional që qëndroi prapa fushatës ruse të përhapjes së dezinformatave më 2016 – ka mbyllur llogaritë e postave elektronike të gjurmuara prej agjencive perëndimore të Inteligjencës dhe ka kaluar në pajisjet e enkriptuara të komunikimit, si “ProtonMail”, që janë shumë më të zorshme për t’u gjurmuar.
Duke e pasur parasysh këtë ndryshim të strategjisë, zyrtarët amerikanë po i mbajnë nën vrojtim të gjitha sinjalet që mund të paralajmërojnë se çfarë mund të ndodhë në nëntor. Çfarë pritet të ndodhë është se hakerët të presin krejt deri në zgjedhjet e përgjithshme, në vend se të rrezikojnë, si më herët, me aktivitete gjatë zgjedhjeve paraprake.
E keqja është se një pjesë e ndërhyrjes ka burimin përbrenda. Amerikanët është zbuluar të jenë akredituar në uebfaqet e rreme që njollosin kandidatët demokratë dhe se i kanë paguar maqedonasit që të promovojnë qëndrime përçarëse politike. “Facebooku”, platforma më e rëndësishme digjitale për reklamime politike, ka bërë po ashtu të ditur se do t’i vëzhgojë mesazhet politike për të gjurmuar gënjeshtra apo pretendime të paqena.
Duke qenë se amerikanët janë bërë kaq mosbesues ndaj njëri-tjetrit dhe vetë procesit politik, droja për hakime bëhet edhe më e rrezikshme se sa vet hakimet. Kjo është ajo që ndodhi nëntorin e shkuar në Kentucky, kur thashethemet për zgjedhjet e manipuluara u përhapën online, pasi që u bë e qartë se gara për prefekt do të vihej në shënjestër.
“Faktikisht as që ju duhet të ndërhyni në një sistem zgjedhor për ta krijuar në publik përshtypjen që e keni”, ka thënë Laura Rosenberger, drejtoreshë e “Alliance for Securing Democracy”, që i gjurmon përpjekjet ruse për dezinformim.
“Esenca është kaosi”, ka shtuar ajo. “Pastaj mund t’i merrni me mend skenarët e ndryshëm”.
Rreziku i jashtëm
Megjithatë, sfida më e madhe vjen prej jashtë. Irani, tani nën sanksionet e ashpra që nuk i pati në zbatim katër vjet më parë, ka gjurmuar sistemin zgjedhor më 2018. Më rishtas, hakerët iranianët janë kapur tek provojnë ta komprometojnë fushatën e presidentit Trump dhe të shtrihen edhe te kandidatët e tjerë politikë amerikanë në “Twitter”.
Nga ana e tij, Trumpi tanimë ka kërcënuar Korenë Veriore kundër “ndërhyrjes”, ndonëse ai dukej se u referohej lansimeve raketore që synonin ta turpëronin. Presidenti është shfaqur më pak i shqetësuar për ndërhyrjen ruse. Ai vazhdimisht e ka vënë në pikëpyetje idenë e ndërhyrjes së Moskës në zgjedhjet e 2016-s. Në zellin e tij për të gjetur një fajtor tjetër, Trumpi e përqafoi teorinë e konspiracionit të përkrahur nga Rusia që ia bartte fajin Ukrainës dhe i vuri në lëvizje veprimet që çuan deri në shkarkimin e tij.
Zyrtarët amerikanë, nga ana tjetër, janë të bashkuar në konstatimin se ishte Rusia ajo që ndërhyri më 2016 dhe se ky vend vazhdon të jetë kërcënimi më i madh për zgjedhjet e 2020-s. Për dallim prej vendeve të tjera, të cilat duket të jenë të etura për të ndikuar në politikat amerikane, Rusia është e interesuar që në rend të parë ta minojë besimin në institucionet demokratike të Amerikës, nisur prej vetë procesit të votimit.
“Rivalët tanë, si Rusia, Kina, Irani dhe të tjerët, janë këmbëngulës: Përqendrohen në politikat tona dhe mundohen të përfitojnë prej çarjeve ekzistuese dhe ndjenjave amerikane, sidomos nëse mund të na dobësojnë”, ka thënë Shelby Pierson, monitoruese e kërcënimeve zgjedhore në Zyrën e drejtorit të Inteligjencës Kombëtare. “Do të provojnë taktika të ndryshme dhe dinë të përshtaten”, ka shtuar ajo. “Nëse njëra taktikë nuk funksionon, do ta provojnë tjetrën”.
Menjëherë pas zgjedhjeve të 2016-s, përqendrimi ishte fokusuar te makinat amerikane të votimit, sidomos pajisjet me prekje. Dy të tretat e kompanive që sigurojnë furnizime për makinat e votimit kanë zyra në Rusi dhe Kinë, ku kompanive të huaja rregullisht u kërkohet që t’u japin zyrtarëve të sigurisë informata të ndjeshme teknike, përfshirë në disa raste edhe kodet softwareike. Kompanitë kineze i prodhojnë rreth një të pestën e komponentëve të makinave të votimit. Akëcila pjesë e tyre përbën nga një mundësi për ndërhyrje të huaj.
“Nuk u është kushtuar vëmendje e mjaftueshme problemeve potenciale që lidhen me hakimet e makinave të votimit”, ka thënë David Dill, themelues i “Verified Voting Foundation”.
Në nëntor, të paktën tetë shtete do të votojnë në mënyrë digjitale. Mes tyre janë shtetet përcaktuese të betejës zgjedhore, si Pennsylvania.
Tani që zgjedhjet afrojnë, hakerët kanë përvjelë mëngët për t’iu vënë punës. Ama kësaj radhe kanë përvetësuar teknika më të sofistikuara – dhe të rrezikshme – në përpjekjen për të vjedhur materiale potencialisht turpëruese nga fushatat politike.
Ekspertët e sigurisë thonë se kanë vërejtur tentime të shtuara për hakimin e fushatës së kryekandidatëve demokratë. Vetëm gjatë dy muajve të fundit, kanë ndodhur rreth njëqind tentime të demaskuara kundër këtyre kandidatëve, ka njoftuar “Area 1”, një kompani e sigurisë që nuk i ka bërë të ditur emrat e kandidatëve.
Shumica ishin përpjekje për ta përsëritur hakimin e 2016-s ndaj John Podestas, shefit të fushatës së Hillary Clintonit, ka thënë Oren Falkowitz, shef ekzekutiv i “Area 1”. Mirëpo tentimet e tilla nuk ishin të kufizuara vetëm në SHBA.
Gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare në Britani të Madhe, një përdorues anonim i “Reddit” – i cili më pas ishte zbuluar të ketë pasur lidhje me fushatën e gjerë ruse të dezinformimit – postoi dokumente të brendshme të Qeverisë britanike që përmbanin hollësi nga bisedimet preliminare me SHBA-në për marrëveshjen tregtare pas Brexitit. Ndonëse postimi fillimisht nuk gjeneroi vëmendje të madhe, në fund u vërejt nga partia opozitare laburiste, e cila bëri të ditur se rasti përbën një dëshmi se konservatorët, po qe se rizgjidhen, planifikojnë ta privatizojnë Shërbimin Kombëtar të Shëndetit, si pjesë e ujdisë me Washingtonin.
Lajmi për dokumentin e shtrëngoi kryeministrin Boris Johnson që ta mohojë publikisht të dhënën për privatizimin e shërbimit shëndetësor, ani pse Qeveria e tij bëri të ditur se materiali i publikuar ishte i vërtetë. Ama meqë konservatorët ishin bukur përpara në sondazhe, i gjithë ky episod nuk ndikoi në ndryshimin e rezultatit. Johnsoni e fitoi shumicën në Parlament dhe mandatin e qartë për ta vazhduar daljen e Britanisë prej Bashkimit Evropian – si dhe për ta prerë ujdinë me Amerikën.
Përpjekjet e tjera ruse, që patën në shënjestër një mori vendesh perëndimore midis 2016-s dhe 2019-s, patën më pak ndikim, thuhet në një raport të muajit të shkuar të kompanisë “Graphika”. Gjatë kësaj kohe, fushata e quajtur “Secondary Infektion” ka përdorur trollë me qindra llogari në media sociale, të cilët përhapën 44 lajme në të paktën gjashtë gjuhë. Lajmet ishin të përbëra prej pretendimeve fiktive për zgjedhjet amerikane të 2016-s dhe të dhënës që e lidhte presidentin francez, Emmanuel Macron, me militantët islamikë.
“Disa prej këtyre lajmeve kanë gjeneruar tallje prej përdoruesve të njëmendtë; shumica thjeshtë janë anashkaluar”, ka thënë Ben Nimmo i “Graphika”-s. “E teksa zgjedhjet amerikane të 2020-s po afrohen”, ka shtuar Nimmo, “është me rëndësi që të jemi të vetëdijshëm për ndërhyrjen potenciale, ama është po aq me rëndësi që të kuptojmë se cilat forma të ndërhyrjes janë më dëmtuese”.