Tech

Google i kufizon pyetjet për zgjedhjet në inteligjencën artificiale

Google ka kufizuar pyetjet e lidhura me zgjedhjet që përdoruesit mund t’i bëjnë ‘chatbot’-it të saj të inteligjencës artificiale (IA), Gemini, shkruan BBC.

Në një postim, Google ka thënë se politika e re është vënë në zbatim në Indi, që do të mbajë zgjedhje duke filluar nga prilli.

Vendimi vjen ndërsa kompania gjigante synon të shmangë polemika mbi teknologjinë IA.

Gemini është në thelb versioni i Googleit i ‘chatbot’it viral ChatGPT. Mund t'u përgjigjet pyetjeve në formë teksti, dhe gjithashtu mund të gjenerojë fotografi.

“Siç treguam dhjetorin e kaluar, në përgatitje për zgjedhjet e shumta që do të ndodhin në mbarë botën në vitin 2024 dhe për shkak të kujdesit të madh, ne po kufizojmë llojet e pyetjeve të lidhura me zgjedhjet për të cilat Gemini do të kthente përgjigje”, ka thënë një zëdhënës i Googleit.

Zgjedhjet do të mbahen në shumë vende të botës këtë vit, përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Afrikën e Jugut.

Zhvillimet në inteligjencën artificiale kanë ngritur shqetësime për keqinformimin dhe kanë shtyrë qeveritë në mbarë botën të marrin iniciative për rregullimin e teknologjisë.

Në shkurt, Google kërkoi falje pasi gjeneratori i imazhit të inteligjencës artificiale i lansuar së fundmi krijoi imazh të Etërve Themelues të SHBA-së, i cili përfshinte në mënyrë të pasaktë një burrë me ngjyrë.

Gemini gjeneroi gjithashtu ushtarë gjermanë nga Lufta e Dytë Botërore, duke shfaqur gabimisht një burrë me ngjyrë dhe një grua aziatike.