Pixel Slate, sipas të gjitha gjasave, nuk ishte tableti i vetëm që Google e kishte planifikuar, ndërsa kompania po i përgatiste edhe disa tabletë të vegjël. Si duket këto plane nuk do të realizohen, sepse sipas informacioneve të reja, Google po ndërpret zhvillimin e dy tabletëve të rinj dhe do të fokusohet vetëm tek laptopët, raporton “Neowin”.
Përfaqësuesi i Google e konfirmoi në intervistë se kompania nuk do të punojë në tabletët e rinj në të ardhmen. Informatat iu shpërndanë edhe punonjësve të kompanisë këtë javë, ndërsa Google planifikon të gjejë pozita të reja për ata që morën pjesë në zhvillimin e tabletëve. Shumë prej tyre do të kalojnë në ekipet për laptopë, shkruan KOHA Ditore.
Tani që tabletët nuk do të jenë më në fokus të kompanisë, ndoshta nga Google më në fund do të arrijnë disa laptopë të rinj këtë vit.