Shërbimi Google App e ka marrë azhurnimin i cili mundëson interaksionin për më shumë aplikacione për dërgimin e mesazheve me ndihmën e komandave zanore.
Me lejen e përdoruesit që Google App t’u qaset njoftimeve, Google tani do ta lexojë mesazhin e dërguar nga aplikacioni ekstern për messaging dhe do të mundësojë përgjigje në të përmes Google Assistant, raporton Android Police.
Kjo deri më tani ishte në dispozicion për mesazhet tekstuale, por Assistant kurrë nuk ishte në gjendje t’i lexonte mesazhet që i vinin përdoruesit nga WhatsApp, Facebook Messenger dhe shërbime të ngjashme, përveç në versionin Android Auto, shkruan KOHA Ditore.
Pasi që përdoruesi ta miratojë qasjen e Assistantit në seksionin për njoftime, shërbimi do t'i lexojë mesazhet dhe do ta kërkojë përgjigjen zanore në to. WhatsApp, Telegram, Slack, GroupMe, Discord dhe Facebook Messenger janë në listën e aplikacioneve të mbështetura.
Kartela vizuale Google Assistant do t'ia tregojë përdoruesit pasqyrën e mesazhit, emrin e kontaktit dhe aplikacionin përmes të cilit do t'i përgjigjet mesazhit.