Gjermania dhe BE-ja kanë dënuar vendimin e Rusisë për mbylljen e zyrës në Moskë të transmetuesit publik ndërkombëtar Deutsche Welle (DW).
I gjithë stafi i DW ka humbur akreditimet dhe kanalit i është ndaluar transmetimi në Rusi.
Ministri i Kulturës i Gjermanisë tha se masa ishte "e papranueshme" në çfarëdo mënyre.
Rusia argumentoi se po hakmerrej pasi rregullatorët gjermanë vendosën që kanali i ri televiziv shtetëror rus, RT DE, nuk kishte një licencë të përshtatshme për të vepruar brenda territorit të Gjermanisë.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova u duk se i ofroi ujdi qeverisë gjermane të premten, duke thënë se nëse Gjermania do të lëvizte për të "normalizuar situatën", atëherë edhe Rusia do ta bënte këtë.
RT-ja ka kanale në anglisht, frëngjisht dhe spanjisht dhe nisi kanalin e saj satelitor në gjuhën gjermane në dhjetor 2021, duke përdorur një licencë nga Serbia, jashtë Bashkimit Evropian.
RT-ja shihet gjerësisht si një zëdhënëse për Kremlinin dhe autoriteti gjerman i licencimit Zak tha se nuk kishte leje të BE-së. Kanali u hoq nga rrjeti satelitor i Evropës brenda disa ditësh.
Edhe
Hakmerret Rusia, mbyll transmetuesin gjerman Deutsche Welle
Drejtori i Përgjithshëm i Deutsche Welle, Peter Limbourg, tha se vendimi rus për mbylljen e zyrës ishte reagim i tepruar dhe "një tjetër shenjë se qeveria ruse nuk është e interesuar për lirinë e shtypit".
Ministrja e Kulturës Claudia Roth i bëri thirrje Rusisë të mos "abuzojë me problemet e të drejtave të licencës së RT për një reagim politik".
RT është përballur me vështirësi edhe me kanalin e saj në gjuhën angleze. Ajo u gjobit me 200 mijë funta nga rregullatori i Britanisë, Ofcom, për dështimin në "ruajtjen e paanësisë së duhur".