Filtrat janë bërë pjesë e pandashme e rrjeteve sociale. Qëllimi i tyre është që t’i bëjnë njerëzit të duken më ndryshe nga pamja reale. Për dikë mund të jenë argëtuese, të lehta për përdorim e shumë bindëse, por përballen edhe me shumë kritika.
Sipas kritikëve, përdorimi i filtrave është promovim i standardeve joreale të bukurisë, sidomos tek përdoruesit e rinj.
Në një iniciativë të re, në Francë po synohet që të bëhet një ligj që i detyron njerëzit ta njoftojnë audiencën e tyre kur përdorin filtra në fotografi apo video.
“Kështu ky sektor do të ketë më shumë etikë”, ka thënë Arthur Delaporte, ligjvënës francez që ka ndihmuar në hartimin e projektligjit, shkruan "WP".
Projektligji që u miratua në Asamblenë Kombëtare, duhet të miratohet edhe në Senat para se të bëhet ligj. Ai është pjesë e një rregullatori më të gjerë në industrinë e influencerëve. Legjislacioni synon ta kontrollojë ndikimin e reklamave dhe të ndalë abuzimet në rrjete sociale, por edhe të ndalë promovimin e reklamave për ndërhyrjet kirurgjike kozmetike.
Ligji do të vlente për këdo që prek audiencën franceze.