Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Fairphone sjell smartphonin e ri i cili riparohet dhe riciklohet lehtë

Kompania Fairphone e ka prezantuar smartphonein e vet të ri të emërtuar Fairphone 3.

Fairphone 3 është një pajisje që do të riparohet dhe riciklohet me lehtësi kur të jetë e nevojshme. Fairphone beson në telefonat që zgjasin shumë dhe të cilët riparohen lehtë, dhe se pajisjet e tilla do t’i zvogëlojnë ndjeshëm emetimet e CO2.

Image

Nga kompania thonë se smartphone i tyre i ri riparohet lehtë sepse është i përbërë nga shtatë module. Bëhet fjalë për një qasje të ngjashme me modelin e mëparshëm, Fairphone 2, shkruan KOHA Ditore. Megjithatë, kompania është ballafaquar me vështirësi lidhur me shërbimet e riparimit afatgjatë në të kaluarën dhe e ka ndërprerë mbështetjen për Fairphone 1 në vitin 2017 sepse nuk mundi ta vazhdonte prodhimin e pjesëve rezervë. Përndryshe, smartphonei u shfaq në vitin 2013.

Image

Fairphone ka përdorur kallajin, volframin, arin, bakrin dhe plastikën. Kompania po punon gjithashtu për ta përmirësuar prodhimin e kobaltit, i cili përdoret në prodhimin e baterive litium-jon, i cili shpesh nxjerret në kushte që i shkelin të drejtat e njeriut. Iniciativat e riciklimit kanë për qëllim shpërblimin e klientëve që i riciklojnë telefonat e vjetër mobil kur blejnë Fairphone 3 në vende të caktuara, ndërsa kompania po punon gjithashtu për ta përmirësuar shëndetin, sigurinë dhe pagat e punëtorëve në fabrikat e smartphoneit.

Pasi që kompania është përqendruar në qëndrueshmëri, specifikimet e Fairphone nuk janë të barabarta me modelet flamurtare që i kemi parë këtë vit. Smartphoni e ka një ekran 5.7 inçësh Full HD, një kamerë të pasme prej 12MP dhe një kamerë të përparme prej 8MP, procesorin e Qualcommit Snapdragon 632 dhe i ka 4 GB RAM dhe 64 GB memorie të brendshme. Punon falë baterisë së zëvendësueshme prej 3,000 mAh.

Shitja e Fairphone 3 fillon më 3 shtator me një çmim prej 450 eurosh.

Artikuj të ngjashëm