Bashkëbiseduesit nga inteligjenca artificiale janë duke shkaktuar dëme në luftën ndaj sulmeve kibernetike prej hakerëve, kanë alarmuar ekspertët.
E-mailat mashtruese (phishing) janë një prej armëve kryesore të hakerëve dhe njerëzit bien në to lehtë duke klikuar në vegëza nëpërmjet të cilave shkarkojnë virusa e që ua mundësojnë sulmuesve qasjen në të dhëna personale, por edhe në fjalëkalime.
Megjithatë, një e metë e rëndë në këto përpjekje janë gabimet e shumta drejtshkrimore. Kjo e bënte të lehtë identifikimin e e-mailave të tillë, megjithatë, ajo po vështirësohet nga bashkëbiseduesit inteligjentë, që së fundmi kanë bërë bujë. Kjo sepse hakerët po i shfrytëzojnë ‘chatbotët’ për të përmirësuar gabimet.
“Çdo haker tani mund ta përdorë inteligjencën artificiale që merret me gabimet dhe drejtshkrimin”, ka thënë Corey Thomas nga kompania amerikane e sigurisë kibernetike “Rapid7”. “Ideja që mund të bazoheni në drejtshkrim të dobët për të vënë re një mashtrim të hakerëve, nuk vlen më. E patëm kuptuar në të kaluarën metodën, por kjo s’vlen më”.
Të dhënat kanë treguar se “ChatGPT”, lider në tregun që bëri sensacion që nga lansimi vitin e shkuar, po përdoret për krime kibernetike. Kriminelët s’po kanë më telashe me gabime gjuhësore dhe më lehtë po dërgojnë mesazhe më të gjata e më “bindëse”.
Pas sensacionit të “ChatGPT-së”, edhe Google ia ka mësyrë tregut duke lëshuar produktin e vet për disa vende. Google ka thënë se s’do t’ua lejojë përdoruesve të vet përdorimin e inteligjencës artificiale për mashtrim.
“OpenAI”, krijuese e “ChatGPT-së”, nuk ka komentuar për çështjen.