Tech

EKG në Apple Watch 5 do të funksionojë edhe jashtë SHBA-së

Foto: 9to5Mac

Seria e pestë e orës së mençur Apple Watch do të vijë me dizajn të përmirësuar me trup prej qeramike dhe do të ofrojë mbështetje për elektrokardiogram (EKG) në rajone të shumëfishta.

Kjo bazohet në detajet më të fundit nga raporti i investitorëve, i cili erdhi nga analisti Ming-Chi Kuo.

Funksioni EKG aktualisht është në dispozicion vetëm për përdoruesit në SHBA, pasi që Apple duhet të merret me rregullore të ndryshme shëndetësore në vende të ndryshme, në mënyrë që të zbatojë këtë funksion, transmeton KosovaPress.

Problemi me kalimin e kësaj karakteristike në një orë të zgjuar është se pajisja bëhet një “pajisje mjekësore”, një kategori krejtësisht e ndryshme, e rregulluar me ligje dhe rregulla të ndryshme.

Përveç kësaj, Kuo përmend se Apple Watch Series 5 do të ketë një dizajn të ri me trup prej qeramike. Nuk dihet saktësisht se çfarë do të thotë kjo, por dihet se versionet premium të qeramikës të modeleve më të hershme të Apple Watchit kishin disa probleme, kështu që ridizajni ka kuptim.