Agjencia e mbrojtjes së të dhënave të Italisë ka përcaktuar të mërkurën një listë kërkesash të cilat tha se OpenAI duhet t’i përmbushë deri më 30 prill për të adresuar shqetësimet e agjencisë në lidhje me chatbotin ChatGPT dhe për të lejuar rifillimin e shërbimit të inteligjencës artificiale në vend, raportoi të enjten Reuters.
Pothuajse dy javë më parë Open AI i mbështetur nga Microsoft Corp ka nxjerrë ChatGPT-në jashtë linje në Itali pasi autoriteti i njohur si Garante kufizoi përkohësisht përpunimin e të dhënave të tij personale dhe filloi një hetim për një shkelje të dyshuar të rregullave të privatësisë.
Në një deklaratë të mërkurën Garante parashtroi një sërë kërkesash që duhen përmbushur deri në fund të këtij muaji.
"Vetëm në këtë rast, autoriteti do të pezullojë kufizimet e përkohshme për përdorimin e të dhënave të përdoruesve italianë dhe ChatGPT-ja do të bëhet sërish i qasshëm në Itali", ka thënë ky autoritet.
OpenAI të enjten mirëpriti masën e agjencisë.
"Jemi të lumtur që Garante italiane po rishqyrton vendimin e tyre dhe ne mezi presim të punojmë me ta për ta bërë ChatGPT-në të disponueshme përsëri për klientët tanë në Itali së shpejti”, ka thënë një zëdhënës për Reuters.
Italia është vendi i parë i Evropës Perëndimore që ndaloi ChatGPT-në, por zhvillimi i shpejtë i saj ka tërhequr vëmendjen nga ligjvënësit dhe rregullatorët në disa vende.
Shumë ekspertë thonë se nevojiten rregulla të reja për të qeverisur inteligjencën artificiale për shkak të ndikimit të saj të mundshëm në sigurinë kombëtare, vendet e punës dhe arsimin.
Autoriteti tha se OpenAI duhet të informojë përdoruesit në Itali për metodat dhe logjikën pas përpunimit të të dhënave të nevojshme për funksionimin e ChatGPT-së.
Ai gjithashtu i kërkoi kompanisë që të prezantojë deri në fund të shtatorit një sistem verifikimi të moshës që mund të përjashtojë qasjen për përdoruesit nën 13 vjeç.
Garante tha se do të vazhdojë të hetojë shkeljet e mundshme të rregullave të mbrojtjes së të dhënave nga OpenAI, duke rezervuar të drejtën për të vendosur çdo masë tjetër të nevojshme në fund të hetimit të saj në vazhdim.