Tech

BE-ja i bën thirrje Rusisë të ndalojë sulmet kibernetike

Bashkimi Evropian paralajmëroi Rusinë që të mos lejojë hakerët të sulmojnë bazat e të dhënave ose të përhapin dezinformata në disa nga 27 vendet anëtare.

"Disa shtete anëtare të BE -së kanë vërejtur aktivitete kibernetike me qëllim të keq, të përcaktuara kolektivisht si Ghostwriter, dhe i kanë lidhur ato me shtetin rus," tha shefi për politikë të jashtme të BE-së Josep Borrell në një deklaratë.

"Aktivitete të tilla janë të papranueshme pasi kërkojnë të kërcënojnë integritetin dhe sigurinë tonë, vlerat dhe parimet demokratike dhe funksionimin thelbësor të demokracive tona", tha Borrell.

"Bashkimi Evropian do t'i kthehet kësaj çështjeje në takimet e ardhshme dhe do të marrë parasysh marrjen e hapave të mëtejshëm".

Borrell tha se sulmet kanë shënjestruar disa anëtarë të parlamentit, zyrtarë qeveritarë, politikanë, punonjës të medias dhe shoqërinë civile. Ai nuk i përmendi vendet në fjalë, raporton AP.

Ai tha se BE dhe vendet e saj anëtare “denoncojnë fuqishëm këto aktivitete kibernetike me qëllim të keq. Ne i bëjmë thirrje Federatës Ruse të respektojë normat e sjelljes së përgjegjshme të shtetit në hapësirën kibernetike".

Zyrtarët gjermanë të sigurisë thanë se kishte pasur një sulm kibernetik në Zyrën Federale të Statistikave, e cila gjithashtu mbikëqyr zgjedhjet e së dielës.

Ministria e Jashtme në Berlin tha se grupi i hakerëve i quajtur Ghostëriter kishte "kombinuar sulmet kibernetike konvencionale me dezinformimin dhe operacionet e ndikimit" dhe se aktivitetet që synonin Gjermaninë janë vërejtur "për ca kohë".