Kur bëhet fjalë për softuerin antivirus, Avasti është ndoshta një nga opsionet më të njohura dhe të përdorura gjerësisht. Megjithatë, ata që e vlerësojnë privatësinë e tyre ndoshta duhet ta dinë për hetimin e fundit nga Motherboard dhe PCMag, i cili zbuloi se Avast ua shet të dhënat përdoruesve kompanive të jashtme, raporton “Ubergizmo”.
Më saktësisht, Avast nuk i ka shitur direkt informacionet e mbledhura, por përmes filialit të kompanisë së njohur si Jumpshot. Bazuar në dokumentet e brendshme të siguruara nga Motherboard dhe PCMag, është zbuluar se softueri Avast i gjurmon përdoruesit dhe aktivitetet e tyre në internet, madje dhe klikimet e tyre për sekondë.
Avast u ka treguar më parë përdoruesve, të cilët kanë zgjedhur ta pranojnë mundësinë për t’i ndarë të dhënat e tyre, që të dhënat që mblidhen janë të de-identifikuara, që do të thotë se askush nuk do ta dijë se jeni ju, shkruan KOHA Ditore. Megjithatë, sipas PCMag, kjo nuk është plotësisht e vërtetë. Arsyeja për këtë është se aktiviteti i përcjellur i përdoruesit është aq i detajuar sa që bëhet pothuajse unik për secilin përdorues.
Ata e dhanë një shembull sesi mund të përdoret një klikim i thjeshtë për të zbuluar se përdoruesi ka blerë diçka në Amazon dhe atë saktësisht në çfarë date dhe ore, që do të thotë se nuk do të ishte e vështirë për Amazonin të zbulonte se kush është ai përdorues bazuar në parametrat dhe të dhënat e lartpërmendura . Përveç Amazonit, kompania e lartpërmendur ka bashkëpunuar me kompanitë Google, Microsoft, Pepsi, Sephora, Home Depot, Yelp, Intuit dhe shumë të tjera.
Avast edhe më parë ka patur probleme kur u zbulua se ekstensioni i kompanisë po mblidhte më shumë të dhëna sesa duheshin, gjë që rezultoi në heqjen (e përkohshme) të ekstensionit nga dyqanet në internet.