Tech

Apple vazhdon të fitojë më së shumti në tregun e telefonave

Edhe pse viti 2019 nuk ka qenë më profitabili për prodhuesit e telefonave, Apple ende e mban pjesën më të madhe të fitimeve të tregut. Sipas hulumtimit më të ri nga kompania Counterpoint Research, Apple ka fituar gjithsej 66% të profitit të industrisë, edhe pse i gjeneroi vetëm 32 për qind të fitimeve prej telefonave në tremujorin e tretë në nivel global, raporton GSMArena.

Ajo që është edhe më domethënëse në lidhje me rezultatin e kompanisë është se ky rezultat u arrit para sezonit të festave, që është një periudhë kyç për Apple, gjatë së cilës kompania zakonisht i gjeneron shitjet më të larta, shkruan KOHA Ditore. Për krahasim, profiti i Apple në tremujorin e katërt të vitit 2018 ishte në nivelin prej 80 për qind, ndërsa një rezultat i ngjashëm pritet edhe për tremujorin e katërt të vitit 2019.

Image

Për sa i përket pjesës tjetër të listës, Samsungu renditet në vendin e dytë për nga fitimet për periudhën korrik-shtator, gjatë së cilës kompania e Koresë së Jugut i regjistroi 17% të fitimeve totale. Në këtë ndikuan më së shumti shitjet e mëdha të telefonave të serive Galaxy A dhe Note10. Kompanitë e tjera që kanë realizuar fitime solide e përfshijnë Huawei, Oppo, Vivo dhe Xiaomi.

Sugjerohet që brendet kineze do të përfitojnë dukshëm në vitin 2020, pas komercializimit të 5G, dhe do të mund t’i rrisin çmimet për pajisjet e tyre mobile.