Tech

Apple përgatitë iPod touch të gjeneratës së 7-të me dizajn all-screen?

Sipas të gjitha gjasave, gjenerata e ardhshme e iPod touch është gjithnjë e më afër lansimit, ndërsa ka gjasa që do të mund ta shohim pajisjen me një dizajn all-screen, pa kornizë dhe pak a shumë të ngjashëm me modelin iPhone XS, përcjell Softpedia.

Ikona, e zbuluar në versionin iOS 12.2 beta 4, e tregon dizajnin e mundshëm të iPod-it të ardhshëm, ndërkohë që shihet se mungon butoni home. Është interesante se pajisja nuk ka notch, kështu që ekziston mundësia që Apple do t’i largojë disa karakteristika në krahasim me iPhone.

Detajet rreth lansimit të mundshëm të pajisjeve iPod të gjeneratës së shtatë nuk janë në dispozicion, por e dimë se Apple do ta mbajë ngjarjen më 25 mars dhe shumë njerëz besojnë se kjo mund të jetë periudha kur kompania do ta prezantojë iPodin e ri, shkruan KOHA Ditore.

Sigurisht, duhet të theksohet se informacioni rreth iPodit të ri duhet të merret me rezervë, veçanërisht pasi që ka sinjale se ikona që u prezantua mund të jetë e rreme. Fillimisht, logoja iPod touch nuk është në qendër, gjë që do të ishte një dështim i papritur i dizajnit nga ana e ekipit Apple, veçanërisht nëse e dimë se sa shumë kujdes i kushton kompania këtij elementi.

Gjithashtu, mungesa e funksioneve moderne, si Face ID dhe notchet, hedh dyshime shtesë në qasjen e Apple (nëse ajo është autentike) për iPodin e ri. Me siguri do të kemi më shumë detaje në periudhën në vazhdim.