Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Aplikacioni i Microsoftit Your Phone mundëson ruajtje të drejtpërdrejtë të fotografive

Përpjekjet e Microsoftit për ta lehtësuar sinkronizimin e platformave të ndryshme po bëhen gjithnjë e më të dukshme, ndërsa këtë e tregon edhe azhurnimi më i ri për aplikacionin Your Phone.

Kompania kohët e fundit ka filluar ta testojë sinkronizimin e njoftimeve në mes aplikacioneve të Androidit dhe Windows 10, ndërsa tani janë bërë disa përmirësime për fotot dhe seksionin e aplikacioneve për dërgim të mesazheve, përcjell Neowin.

Për fotografitë, Microsofti e ka shtuar mundësinë për t’i ruajtur ato drejtpërdrejtë në kompjuterin e shfrytëzuesit. Më parë, fotot vetëm mund të kopjoheshin apo të shpërndaheshin nga vetë aplikacioni, gjë që është jopraktike për ata që duan vetëm t’i ruajnë fotot në kompjuterin e tyre, shkruan KOHA Ditore.

Gjatë dërgimit të mesazheve, janë shtuar disa përmirësime. Së pari, Microsofti e ka shtuar butonin për emotikone me shkurtore në tastierë (Windows key + .) Më interesante është shtesa e sinkronizimit të fotografive në listën e kontakteve, që do të thotë se aplikacioni Your Phone tani do ta shfaqë të njëjtën foto të kontaktit që është vendosur në telefonin e përdoruesit.

Përmirësimet e përmendura do të mbërrijnë tek përdoruesit ditëve në vazhdim.