Aksionet e Apple dhe Tesla kanë rënë për shkak të shqetësimeve në rritje për vonesat në linjat e tyre të prodhimit në Kinë.
Përveç Teslas edhe aksionet e Applet kanë arritur pikën e tyre më të ulët që nga qershori i vitit 2021, raportoi të mërkurën BBC-ja.
Kompanitë kanë luftuar për të vazhduar prodhimin në Kinë për shkak të kufizimeve të COVID-19.
Tashmë ato po përballen me një krizë të personelit, teksa Kina po lufton me një valë tjetër COVID pas heqjes së kufizimeve prej vitesh.
Investitorët globalë po tregohen të kujdesshëm edhe para rritjes së normave të interesit, ngadalësimit të ekonomisë globale dhe luftës së vazhdueshme në Ukrainë.
Sipas analistëve, prodhimi do të marrë kohë për t’u rritur sërish.
"Fabrikat do të përjetojnë mungesë të fuqisë punëtore për të paktën 4-6 javë derisa vala kalon nëpër rajonet e tyre të prodhimit dhe sigurisht që shumica e punëtorëve migrantë do të kthehen në fshatrat e tyre për Vitin e Ri Hënor në fund të janarit," thotë Simon Baptist, kryeekonomist në Njësinë e Inteligjencës ‘Economist’. "Prodhimi duket se nuk ka gjasa të kthehet në normalitet në Kinë deri në fund të shkurtit”, shtoi ai.
Vonesat e prodhimit goditën furnizuesin e Apple Foxconn në fillim të këtij viti pas trazirave në objektin e saj Zhangzhou të njohur si "iPhone City". Kompania tha se të ardhurat e saj në nëntor ishin ulur 11 për qind krahasuar me të njëjtin muaj në vitin 2021.