Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Aerogjeli ultra i hollë i qeramikës u bën ballë luhatjeve intensive të temperaturave

Aerogjelët e qeramikës i kanë mbrojtur pajisjet industriale dhe instrumentet shkencore të lidhura me hapësirën për dekada të tëra, falë lehtësisë dhe aftësisë së tyre të pabesueshme për t'i bërë ballë nxehtësisë intensive. Problemi është se mund të jenë mjaft të brishtë. Tani, një ekip i udhëhequr nga hulumtuesit në Universitetin e Kalifornisë në Los Angeles (UCLA) e ka zhvilluar një aerogjel të ri qeramike i cili është shumë më i fortë dhe më fleksibil, madje edhe pas ekspozimit të përsëritur ndaj luhatjeve të mëdha të temperaturave.

Aerogjelët janë struktura të forta dhe të ngurta që janë deri në 99 për qind ajër në vëllim, gjë që natyrisht i bën tepër të lehta. Ato mund të bëhen nga shumë lloje të ndryshme të materialeve, por qeramika është veçanërisht e dobishme si izolues termik. Megjithatë, nga ana tjetër, ciklet e zgjeruara të ngrohjes dhe ftohjes mund të përfundojnë me thyerjen e materialit, shkruan KOHA Ditore.

Image
Mostrat e aerogjelit të ri qeramikë, është jashtëzakonisht i lehtë dhe mund t’i përballojë luhatjet intensive të nxehtësisë (Foto: Oszie Tarula/UCLA)

Në këtë rast, hulumtuesit e krijuan aerogjelin e tyre nga shtresa të holla të materialit qeramikë, nitridit borik, ku atomet e tij u rregulluan në një model gjashtëkëndor. Për ta testuar se sa mirë ka performuar, ekipi i ka vënë mostrat e këtij materiali në një dhomëz dhe e ka luhatur temperaturën midis -198° C dhe 900°C, me vetëm disa sekonda ndërmjet secilit ekstrem. Materiali gjithashtu u la në një dhomëz të nxehtë deri në 1400°C për një javë. U konstatua se materiali e humbi vetëm një për qind të fuqisë së vet mekanike.

Sipas ekipit, çelësi i forcës së aerogjelit të qeramikës është arkitektura e tij unike. Ndryshe nga shumica e qeramikave që zgjerohen kur nxehen, aerogjeli tkurret, dhe këtë e bën në një mënyrë të çuditshme. Nëse e imagjinoni ta shtypni një top tenisi, pjesët anësore do të fryhen - por nëse e shtrydhni aerogjelin, pjesët anësore do të futen gjithashtu brenda. Materiali mund të kthehet plotësisht në formën e tij pasi të jetë ngjeshur, në vetëm pesë për qind të vëllimit të tij origjinal, ndërsa aerogjelët e tjerë nuk mund të shkojnë më poshtë se 20 për qind.

Image
Një mostër e aerogjelit qeramikë e dëshmon lehtësinë e tij duke qëndruar në një lule (Foto: Xiangfeng Duan dhe Xiang Xu/UCLA)

Ekipi thotë se ky aerogjel, si dhe të tjerët të cilat janë bërë duke e përdorur të njëjtin proces, mund të çojnë në një klasë të re të materialeve ultra të forta dhe ultra të lehta.

Edhe Shkencëtarët krijojnë lëkurën artificiale që shëron 90% të plagës brenda 4 orësh Lifestyle Shkencëtarët krijojnë lëkurën artificiale që shëron 90% të plagës brenda 4 orësh

"Këto materiale mund të jenë të dobishme për izolimin termik në anije kozmike, automobila apo pajisje të tjera të specializuara", thotë Xiangfeng Duan studiues kryesor në këtë projekt. "Ato gjithashtu mund të jenë të dobishme për ruajtjen e energjisë termike, katalizim ose filtrim".

Hulumtimi u publikua në revistën Science.