Tech

Facebooku formon ekip për të luftuar dezinformimin e inteligjencës artificiale në zgjedhjet e BE-së

Pronari i Facebookut, Meta, do ta krijojë një ekip për ta trajtuar dezinformimin dhe abuzimin e inteligjencës artificiale gjeneruese në prag të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në qershor.

Ky veprim do të ndodhë mes shqetësimeve për ndërhyrje në zgjedhje dhe përmbajtjet mashtruese të krijuara nga AI-ja, raportoi të hënën Reuters.

Zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale gjeneruese ka shkaktuar frikën se teknologjia e re mund të përdoret për të ndikuar në zgjedhje në të gjithë botën këtë vit.

Zgjedhjet në Parlamentin Evropian do të mbahen më 6-9 qershor. 720 ligjvënësit e saj, së bashku me qeveritë e BE-së, miratojnë politika dhe ligje të reja të BE-së.

"Me afrimin e zgjedhjeve, do të aktivizojmë një Qendër Operacionale Zgjedhore për të identifikuar kërcënimet e mundshme dhe për të vendosur masat zbutëse në kohë reale”, ka thënë Marco Pancini, kreu i Metës për çështjet e BE-së.

Ai tha se ekspertët nga inteligjenca, shkenca e të dhënave, inxhinieria, kërkimi, operacionet, politikat e përmbajtjes dhe ekipet ligjore të kompanisë do të fokusohen në luftimin e keqinformimit, trajtimin e operacioneve të ndikimit dhe kundër rreziqeve që lidhen me abuzimin e AI-së.