Lansohet “Nana”

Lansohet “Nana”

29 August 2017 10:59

Aksioni për Nëna dhe Fëmijë ka bërë lansimin e aplikacionit celular në gjuhën shqipe, aplikacion ky që përmban informata thelbësore mbi shtatzëninë, planifikimin familjar, lindjen dhe kujdesin ndaj fëmijëve në mënyrë të shpejtë dhe të lehtë.

Aplikacioni mobil “Nana” është një shtrirje tjetër e programit edukativ “Klasat për Nëna” të Aksionit për Nëna dhe Fëmijë (ANF) si dhe uebfaqes www.beba-ks.com.

Rrjeti i qendrave informuese “Klasat për Nëna”, tanimë i shpërndarë në 6 qytete të Kosovës, mbledh gratë e të gjitha etnive me një qëllim të përbashkët - përmirësimin e shkallës së mbijetesës dhe shëndetit të fëmijëve duke ofruar qasje në informacione të bazuara në dëshmi. Duke e parë nevojën për qasje në informacion dhe risi, nevojë kjo e bazuar në prova reale nga qendrat informuese, ANF ndërmori iniciativën e zhvillimit të aplikacionit celular “NANA”, i cili përfshin një mori modulesh dhe veçori interaktive.

Në tërësi, aplikacioni përmban seksionet si Kalendarin Ovulacionit që ofron një mundësi për monitorimin e periudhës së ovulacionit për gratë dhe vajzat; Kalkulatorin e Kontraksioneve për përgatitjen e nënave të ardhshme për menaxhimin e fazës së lindjes; Programin e aktiviteteve të “Klasat për Nëna” që tregon orarin e këshillimeve dhe aktiviteteve në “Klasat për Nëna” dhe i mundëson grave që të planifikojnë të ndjekin seancat në bazë të temës së tyre të interesit; Çka duhet të dish që ofron udhëzime të thjeshta mbi shtatzëninë e shëndetshme, të ushqyerit, zhvillimin e foshnjës gjatë secilës fazë të shtatzënisë, teknikat e frymëmarrjes, ushqyerja me gji, imunizimi dhe gjithashtu një seksion për stërvitje gjatë shtatzënisë; si dhe seksionin Fotografitë ku nënat fotografohen gjatë periudhave të ndryshme të shtatzënisë, i arkivojnë fotografitë dhe shohin dallimin nga një periudhë n ë tjetrën.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme