Inteligjenca artificiale mund të përbëjë kërcënim më urgjent për njerëzimin sesa ndryshimi i klimës, ka thënë pioneri i Inteligjencës Artificiale, Geoffrey Hinton, raportoi të dielën “Reuters”.
Hinton njoftoi së fundmi se e ka lënë Alphabetin pas një dekade pune në këtë kompani, teksa tha se do të donte të fliste hapur për rreziqet e teknologjisë pa e prekur ish-punën e tij.
Puna e Hintonit konsiderohet thelbësore për zhvillimin e sistemeve bashkëkohore të Inteligjencës Artificiale.
Ai tani është në mesin e një numri në rritje të liderëve të teknologjisë që përkrahin publikisht shqetësimin për kërcënimin e mundshëm të paraqitur nga AI, nëse makinat do të arrinin inteligjencë më të madhe se njerëzit dhe do të merrnin kontrollin e planetit.
"Nuk do të doja të zhvlerësoja ndryshimet klimatike. S’do të doja të thosha se nuk duhet të shqetësoheni për ndryshimet klimatike. Ky është gjithashtu një rrezik i madh. Por unë mendoj se kjo mund të përfundojë duke qenë më urgjente. Me ndryshimin e klimës, është shumë e lehtë të rekomandosh atë që duhet të bësh, thjesht ndaloni djegien e karbonit. Nëse e bëni këtë, përfundimisht gjërat do të jenë në rregull. Për këtë nuk është aspak e qartë se çfarë duhet bërë”, është shprehur ai.
OpenAI i mbështetur nga Microsoft-i nisi një garë teknologjike në nëntor, kur e bëri të disponueshëm për publikun chatbot ChatGPT-në të fuqizuar nga AI-ja. Shpejt u bë aplikacioni me rritjen më të shpejtë në histori, duke arritur në 100 milionë përdorues mujor në dy muaj.
Ndonëse Hinton ndan shqetësimin se AI mund të provojë të jetë një kërcënim ekzistencial për njerëzimin, ai nuk u pajtua me ndalimin e kërkimit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.