Kompania Meta zbuloi më shumë se 60 llogari të rreme ruse që imitonin faqet e lajmeve të huaja, duke përfshirë median angleze The Guardian dhe atë gjermane Der Spiegel, shkruan AP.
Në vend të lajmeve të vërteta, faqet e rreme përmbanin lidhje me propagandën ruse dhe dezinformatat për Ukrainën. Për më tepër, rrjeti i gjerë i dezinformimit përmbante 1600 llogari të rreme në Facebook që përhapnin informacione të rreme nga mediat e huaja te audienca në Gjermani, Itali, Francë, Britani të Madhe dhe Ukrainë. Informacioni i rremë u përhap jo vetëm në Facebook, por edhe në Instagram, Telegram dhe Twitter.
Meta theksoi se ky është operacioni më i madh dhe më i sofistikuar propagandistik rus që kompania ka zbuluar që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës.
Ky rrjet propagandistik funksionoi gjatë gjithë verës dhe përmbajtja u shpërnda disa herë në faqet zyrtare në Facebook të ambasadave ruse në Evropë dhe Azi, theksoi David Agranovich, drejtor i departamentit të parandalimit të kërcënimeve të Metës.
Gazetarët investigativë vunë re aktivitetet e rrjetit rus të dezinformimit në Gjermani. Kur Meta filloi hetimin e saj, zbuloi se sistemet e automatizuara të Facebookut kishin hequr tashmë shumë llogari të rreme.