Hakerët të cilët kanë dëmtuar dhjetëra mijëra modemë satelitorë në Ukrainë dhe në gjithë Evropën janë duke u përpjekur të pengojnë kompaninë amerikane të telekomunikacionit “Viasat”, ka thënë një zyrtar i kompanisë për Reuters, të mërkurën.
Kompania “Viasat” ka punuar për të rimarrë veten pas një sulmi kibernetik, i cili çaktivizoi modemet satelitore në distancë, që kur forcat ruse janë futur në Ukrainë në orët e para të 24 shkurtit.
"Ne jemi dëshmitarë të disa përpjekjeve të qëllimshme”, ka thënë zyrtari të martën, duke shtuar se “Viasati” momentalisht po arrin t’u rezistojë hakerëve me masa mbrojtëse.
Zyrtari, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, ka folur për Reutersin për një raport që është publikuar të mërkurën, ku përshkruhej se si hakerët sabotuan sistematikisht modemet satelitore në të gjithë Evropën dhe në veçanti në Ukrainë, gjatë mëngjesit të 24 shkurtit, kur nisi pushtimi, duke i dhënë favore Rusisë.
Në lidhje më këtë hakim, zyrtari ukrainas i sigurisë kibernetike, Victor Zhora, ka thënë në një konferencë më 15 mars, se është shkaktuar një humbje e madhe në komunikim qysh në fillim të luftës.