Tech

Vit i zymtë për Bitcoinin, po vazhdon t’i bie vlera

Kriptomonedhat kanë pasur një fillim të zymtë të vitit dhe vazhdojnë të zhyten, pasi ekonomitë kryesore në mbarë botën kërkojnë të frenojnë popullaritetin e tyre në rritje.

Bitcoin ka rënë mbi 7% në 24 orët e fundit dhe po tregtohej me 39,097 dollarë që nga ora 3:00 e mëngjesit, sipas CoinDesk. Kriptomonedha më e vlefshme në botë ka rënë me mbi 15% që nga fillimi i vitit. Ndërkohë, në nëntor të vitit të kaluar, ajo u tregtua me një rekord të lartë prej 68,990 dollarë.

Pavarësisht kësaj, monedhat e tjera të ngjashme kanë dalëe dhe më keq. Ethereum, e cila është kriptomonedha e dytë më e vlefshme në botë, ka rënë pothuajse për 8% në 24 orët e fundit, dhe tani po tregtohet me rreth 2,895 dollarë, po ashtu sipas CoinDesk. Kjo kriptomonedhë është ulur gati për 20% që nga fillimi i janarit.

Investitorët janë shqetësuar për monedhat dixhitale dhe asetet e tjera më të rrezikuara, që kur Rezerva Federale e SHBA-së sinjalizoi se mund ta zbusë stimulin ekonomik në mënyrë më agresive sesa pritej.

Edhe qeveritë e shteteve të tjera po godasin. Të enjten, është raportuar se Banka Qendrore e Rusisë ka propozuar një ndalim të përdorimit të kriptove. Rusia është një nga vendet më të mëdha të kripto-minierave në botë, por Banka e saj Qendrore tha se monedhat dixhitale mund të përbëjnë një kërcënim për stabilitetin financiar të vendit.

Propozimi rus vjen vetëm disa muaj pasi Kina nisi një shtrëngim në shkallë të plotë mbi kriptomonedhën, duke ndaluar si tregtinë ashtu edhe minierat.

Edhe vende të tjera po flirtojnë me ndalimin e kriptove. Në nëntor, India tha se po përgatitej të prezantonte një projekt-ligj që do të rregullonte monedhat dixhitale, megjithëse ende nuk dihet shumë për atë propozim.