Themeluesi i Amazonit, Jeff Bezos, do të japë donacion në vlerë prej 96,2 milionë dollarësh për organizatat që ndihmojnë familjet e pastreha, ka bërë të ditur Fondi i tij i bamirësisë të mërkurën.
Donacioni do të ndahet përmes Fondit “Bezos Day One”, për 32 organizata bamirësie në 21 shtete të ndryshme, me grante që variojnë nga 750,000 deri në 5 milionë dollarë.
Që kur Bezos themeloi fondin në vitin 2018, si një angazhim prej 2 miliardë dollarësh, me gruan e tij të atëhershme MacKenzie Scott, Fondi "Bezos Day One" ka dhënë gati 100 milionë dollarë në vit për organizatat që ofrojnë shërbime për familjet e pastreha. Në total, fondi ka dhuruar gjithsej 398 milionë dollarë deri më tani.
Bezos është personi i dytë më i pasur në botë, me pasuri në vlerë rreth 205.5 miliardë dollarë, sipas Forbes.
Donacionet e shpallura të mërkurën përfaqësojnë më pak se 1% të vlerës së tij totale neto, dhe Fondi "Bezos Day One" nuk ka zbuluar detaje se si saktësisht Bezos po e financon atë.
Bezos ka shitur aksione në vlerë prej afro 27 miliardë dollarësh që kur Amazon u bë publik në 1997, por ai deri më tani ka refuzuar të thotë nëse po financon fondin e Bezos Day One me dhurata në para ose me donacione të aksioneve të tij në Amazon.