Tech

Facebooku jep detaje për telashet që ia shkaktuan rënien më të madhe ndonjëherë

Facebooku të hënën në mbrëmje njoftoi se platformat e veta janë kthyer në normalitet pas rënies masive, më të gjatë në histori deri tash për rrjetin më të madh social, por edhe për Instagramin e WhatsAppin.

Kompania në një blog ka njoftuar se ekipet e saj inxhinierike kanë gjetur “ndryshime konfiguracioni në ruterët që koordinojnë trafikun e internetit nga qendrat e të dhënave që kanë shkaktuar telashet për ndërprerje të komunikimit”.

“Pengesat në rrjet shfaqën efekte në komunikim të qendrës së të dhënave, duke ndërprerë të gjitha shërbimet”, ka thënë Facebooku.

Kompania ka shtuar se po punon për t’i kthyer në funksion të gjitha shërbimet. Në ndërkohë, vetë Facebooku ka thënë se ka qenë vetë telashi i kompanisë dhe se s’ka asnjë informatë për dëmtime të të dhënave të përdoruesve.

Zëdhënësi i kompanisë, Andy Stone, ka postuar në Twitter duke kërkuar falje.

Sipas uebfaqes me të dhëna për rënie të faqeve të internetit, “DownDetecter”, mijëra njerëz raportuan për dështimin e Facebookut. Rënia i shkaktoi humbje të aksioneve në vlerë prej pesë për qind apo 7 miliardë dollarë.

“Njerëzit dhe bizneset në gjithë botën varen nga ne çdo ditë për të qenë të lidhur. E kuptojmë ndikimin që ka pasur kjo në jetët e njerëzve dhe është përgjegjësia jonë t’i mbajmë të informuar njerëzit për telashet tona. Ju kërkojmë falje të gjithëve dhe po punojmë të kuptojmë më shumë për atë që ka ndodhur sot dhe do të vazhdojmë ta përmirësojmë infrastrukturën tonë”, ka thënë kompania.