Tech

Nuk mund ta shkarkoni më Fortniten në “App Store”

Apple ka hequr Fortniten nga dyqani i saj “App Store” derisa të përfundojë një betejë ligjore me krijuesin e lojës Epic, sipas Tim Sweeney, shefi ekzekutiv i Epic Games.

Kjo do të thotë që loja popullore nuk do të jetë e disponueshme për përdoruesit e rinj për ta shkarkuar në iPhone ose pajisje të tjera Apple.

Sweeney në një seri postimesh në Twitter kritikoi Applen dhe ka thënë se procesi i apelimit mund të zgjasë rreth pesë vjet për të përfunduar.

Njerëzit të cilët tashmë e kanë shkarkuar lojën në pajisjet e tyre Apple do të jenë në gjendje të vazhdojnë ta luajnë atë, por nuk do të marrin asnjë përditësim.

Fortnite u hoq fillimisht nga “App Store” i Apple vitin e kaluar për shkeljen e politikave të tij duke lansuar sistemin e pagesave brenda aplikacionit.

Apple ngarkon një komision prej 30% për të gjitha blerjet brenda aplikacionit, por kjo veçori u përpoq ta anashkalonte atë.

Ky veprim shkaktoi një betejë ligjore të sjellë nga Epic Games, e cila akuzoi Applen për drejtimin e “App Store” si një monopol.

Në shtator, një gjykatë amerikane vendosi që Apple nuk mund të ndalojë zhvilluesit e aplikacioneve që i drejtojnë përdoruesit në opsionet e pagesave të palëve të treta.

Por gjykatësi tha gjithashtu se Epic nuk arriti të demonstrojë që Apple po operonte me një monopol të paligjshëm.

Të dy Epic dhe Apple po apelojnë pjesët përkatëse të gjykimit.