Tech

Zhduket aplikacioni që ofronte qasje kibernetike globale për qytetarët e Kinës

Zhduket aplikacioni që ofronte qasje kibernetike globale për qytetarët e Kinës

Një aplikacion i ri për celularë, i hedhur në treg javën e kaluar në Kinë, që shumë njerëz shpresonin se do t’u lejonte qasje në faqet e ndaluara prej kohësh të mediave sociale perëndimore, u zhduk papritur, një ditë pasi u bë publik. Tuber, një aplikacion për platformën Andriod, i mbështetur nga gjigandi kinez i programeve kibernetike të sigurisë Qihoo 360, u shfaq fillimisht si i disponueshëm për t’u shkarkuar të premten e kaluar. Aplikacioni u ofronte qytetarëve kinezë qasje të kufizuar në faqet elektronike si YouTube, Facebook dhe Google, dhe u përdor për rreth 5 milionë shkarkime pas debutimit të tij.

Por një ditë më pas, aplikacioni Tuber u zhduk nga dyqanet virtuale të aplikacioneve për celularët, përfshi edhe atë të drejtuar nga kompania Huawei. Një kërkim për faqen e aplikacionit në internet nuk dha asnjë rezultat kur Zëri i Amerikës kontrolloi për të të hënën. Nuk është e qartë nëse qeveria urdhëroi heqjen e aplikacionit. Ekspertët i thanë Zërit të Amerikës se veprime të tilla bëhen ndonjëherë për të krijuar iluzionin e alternativave për përdoruesit e etur për qasje në rrjetin global të internetit, por këto programe, që synojnë të anashkalojnë kufizimet e vendosura nga qeveria, ndonjëherë hiqen nga autoritetet nëse shihet se ato janë shumë të kërkuara nga konsumatorët.