Tech

Twitter rrezikon gjobën e majme

Descriptive Text

Twitter mund të marrë një gjobë deri në 250 milionë dollarë nga autoritetet amerikane për përdorimin e numrave telefonikë dhe adresave të e-mail-it për fushata publicitare.

Kompania mori një ankesë nga Komisioni Federal i Tregtisë më 28 korrik, ku thuhej se kishte përdorur të dhënat “e marra për qëllime sigurie për marketing të personalizuar gjatë periudhës 2013-2019”. Në deklaratën e Twitter thuhet se humbjet që mund të vijnë si pasojë e kësaj ankese janë mes 150 dhe 250 milionë dollarë.

Kompania e rrjetit social pranoi tetorin e kaluar se kishte dërguar fushata publicitare te përdoruesit e saj, “pa dashje”, duke përdorur detajet e kontakteve të tyre, marrë për arsye sigurie. Personave që hapin një llogari në Twitter u kërkohet të japin numrin e telefonit për të ulur rrezikun e vjedhjes së llogarisë.

Komisioni Federal i Tregtisë është marrë edhe më parë me rrjetet sociale, pasi arriti një marrëveshje me Facebook sipas të cilës kompania e Mark Zuckerberg pagoi një gjobë prej 5 miliardë dollarësh për keqpërdorimin e të dhënave të përdoruesve.