Tech

Mosmarrëveshjet për fondet kufizojnë përpjekjet për lirinë e internetit

Descriptive Text

Një grup global për lirinë e internetit, i financuar nga Shtetet e Bashkuara, thotë se është detyruar të pakësojë punën e tij për shkak të një mosmarrëveshje të re për çështjen e fondeve me Agjencinë e Amerikane për Median Globale (USAGM).

Laura Cunningham, shefe ekzekutive në detyrë e Fondit të Teknologjisë së Hapur me qendër në Washington, në një letër të raportuar për herë të parë nga gazeta Washington Post javën e kaluar akuzoi agjencinë dhe drejtuesin e saj, Michael Pack, për moslirimin e 20 milionë dollarëve në fonde të miratuara nga kongresi për të promovuar qasjen në internet në të gjithë botën, veçanërisht në vendet autoritare si Kina dhe Irani.

Ajo tha se si rezultat i këtij veprimi, Fondi i Teknologjisë Hapur (OTF) po detyrohet të ndalë punën në 49 nga 60 projektet e tij të lirisë së internetit që ndihmojnë çështjet e të drejtave të njeriut dhe mbështetësit e demokracisë në rreth 200 vende.

Fondi i Teknologjisë së Hapur është një nga disa entitetet e medias globale të financuara nga qeveria, përfshirë Zërin e Amerikës, të mbikëqyrura nga Michael Pack, Shefi ekzekutiv i Agjencisë Amerikane për Median Globale. Ai mori drejtimin e kësaj agjencie në qershor pas një beteje të gjatë në Kongres për miratimin e kandidaturës së tij, të paraqitur nga Presidenti Donald Trump.

Michael Pack nuk i dha Zërit të Amerikës asnjë koment të menjëhershëm në lidhje me letrën e Cunningham.

Kur mori drejtimin e Agjencisë Amerikane për Median Globale, Pack shkarkoi disa drejtues të entiteteve të saj mediatike të financuara nga qeveria. Por, një gjykatë federale e apelit në Washington kohët e fundit e bllokoi vendimin e tij për të shkarkuar bordin dhe zyrtarët e Fondit të Teknologjisë së Hapur, duke thënë se ajo besonte që zyrtarët do të fitonin përfundimisht rastin e tyre të kontestimit të aftësisë së Pack për t'i shkarkuar ata.

Në letrën e saj, Cunningham tha se "kjo vonesë arbitrare dhe e panevojshme e fondeve tani ka kompromentuar punën e projekteve tona dhe ka rrezikuar jetën e miliona përdoruesve që mbështeten në teknologjitë tona në të gjithë botën. Kjo vonesë e fondeve po dëmton pa nevojë zgjerimin e punës sonë dhe ndikimin e Agjencisë Amerikane për Median Globale jashtë vendit", tha ajo. "Sipas vetë analizës së Agjencisë Amerikane për Median Globale, 85 për qind e audiencës së saj në Iran dhe 40 për qind e audiencës në Kinë mbështeten në teknologjitë që përkrahen nga OTF (Fondi i Teknologjisë së Hapur) për qasjen në përmbajtjen e produkteve të Agjencisë Amerikane për Median Globale."

"Më shqetësues është fakti se këto veprime do të forcojnë drejtpërdrejt duart e armiqve të lirisë së internetit, si qeveritë kineze dhe iraniane, të cilat po punojnë në mënyrë aktive për të minuar lirinë dhe demokracinë në të gjithë botën", tha Cunningham.

Ajo i bëri thirrje Pack që të lirojë fondet "në mënyrë që të mund të rifillojmë punën vërtetë kritike për të luftuar censurën shtypëse dhe programet përgjuese jashtë vendit".