Hulumtuesit e sigurisë e kanë zbuluar një lëshim të ri i cili i prek procesorët e Intelit. Bëhet fjalë për vektorin sulmues i cili ndikon që mekanizmi i Intelit për cacheing të shkaktojë rrjedhje të të dhënave nga pothuajse çdo zonë e sigurisë me bazë harduerike, raporton Overclock3D.
Lëshimi i ri emërtohet "CacheOut" dhe karakterizohet nga Inteli si një kërcënim i nivelit të mesëm. Kompania planifikon që së shpejti ta lansojë një mikrokod për ta kapërcyer këtë lëshim të sigurisë. Për fat të mirë, lëshimi nuk mund të keqpërdoret përmes web browserit, gjë që e zvogëlon dëmin potencial të cilin mund ta shkaktojë.
Procesorët e Intelit, të cilët datojnë para tremujorit të katërt të vitit 2018, janë të prekshëm ndaj lëshimit CacheOut, ndërsa kompania ia ka dalë ta zbusë pjesërisht ndikimin e CacheOut duke e korrigjuar një lëshim tjetër, shkruan KOHA Ditore.
Theksohet që dihet se procesorët AMD nuk janë të ndjeshëm ndaj lëshimit CacheOut, por ekziston mundësia që procesorët IBM dhe ARM të preken nga ky lëshim.
Përdoruesit e procesorit të Intel këshillohen t’i aplikojnë arnimet mikrokod të kompanisë, të cilat do të publikohen si azhurnime të reja të platformës (azhurimet BIOS) ose do të aplikohen në nivelin e sistemit operativ Windows.