Tech

Tinder shton butonin e panikut dhe veçorinë e verifikimit për të luftuar mashtruesit

Descriptive Text

Aplikacioni Tinder do të shtojë një varg veçorish të sigurisë përfshirë edhe një buton paniku në rast se përdoruesit kanë nevojë t’i njoftojnë autoritetet derisa janë në një takim.

Aplikacioni i takimeve do të luftojë edhe mashtrimet me fotografi – personat që synojnë të hyjnë në lidhje dashurie me dikë duke përdorur fotografi dhe të dhëna të rrejshme – me një veçori të re për verifikimin e fotove, raporton “SkyNews”.

Fotografitë e verifikuara do të vlerësohen nga një algoritëm me asistencë njerëzore duke kërkuar nga përdoruesit të shkrepin ‘selfie’ të aty-për-atyshme.

Porsa përdoruesit të kenë përfunduar procedurën e verifikimit, atëherë profilet e tyre do të marrin një shenjë të kaltër që konfirmon se duken siç pretendojnë të duken.

“Çdo ditë, miliona anëtarë tanë na besojnë neve për t’i njoftuar me njerëz të ri, dhe jemi të përkushtuar të krijojmë veçori inovative të sigurisë me teknologjinë më të mirë të kohës që i plotëson nevojat e personave që duan të gjejnë partnerë”, ka thënë Elie Seidman, shefi ekzekutiv i Tinderit, transmeton Koha.net.

“Jam krenar t’i ndaj këto të reja, që paraqesin një hap të rëndësishëm duke e çuar sigurinë në një shkallë të pakrahasueshme”, shtoi Seidman.

Butoni i panikut vjen pasi kompania amë e Tinderit, Match Group, njoftoi integrimin e tij me Noonlight, një veçori kjo që ua mundëson përdoruesve të incizojnë personin që e takojnë, sikurse edhe vendin dhe kohën, si dhe mundësinë për t’i njoftuar autoritetet fshehurazi nëse nuk ndihen rehat në takim.

Integrimi i Noonlight do të jetë në dispozicion vetëm në SHBA në fillim.

Ndërkaq, veçoria e profilit të verifikuar është në fazën testuese në “tregje të përzgjedhura”, sipas Tinderit, dhe “do të vazhdojë të jetë më i përhapur përgjatë vitit 2020”.