Dalin specifikimet e kartelave grafike Nvidia RTX 3080 dhe 3070

Dalin specifikimet e kartelave grafike Nvidia RTX 3080 dhe 3070

21 January 2020 20:36

Seria e kartelave grafike Nvidia RTX ka qenë e pranishme qysh nga tremujori i tretë i vitit 2018, gjë që lë të hapur mundësinë që gjatë vitit 2020 t’i shohim pasardhësin e arkitekturës Turing dhe fillimin e formacionit të kartelave grafike të gjeneratës së ardhshme të Nvidia, raporton Overclock3D.

Sajti MyDrivers i ka publikuar specifikimet e rrjedhura të serisë përkatëse të kartelave grafike Ampere, ku janë radhitur bërthamat dhe specifikimet e memories për dizajnet GA103 dhe GA104. Kjo më shumë vlen për kartelat grafike Nvidia RTX 3080 dhe RTX 3070.

GA103 mund të jetë pika kaluese ndërmjet modeleve Nvidia RTX 2080 Ti dhe RTX 2080 Super, duke i ofruar 10 GB VRAM përgjatë një magjistraleje të memories 320-bitëshe dhe deri në 3480 bërthama CUDA, shkruan KOHA Ditore. Me një magjistrale 320-bitëshe të memories, është gjithashtu e mundur të ofrohen 20 GB VRAM, por kjo me siguri do të ishte e përshtatshme vetëm për seritë e kartelave grafike Nvidia Quadro.

Kur bëhet fjalë për GA104, besohet se do t’i ofrojë 3072 bërthama CUDA dhe memorie prej 8 GB/16 GB së bashku me magjistralen 256-bitëshe të memories, gjë që do ta bënte këtë GPU kandidat për RTX 3070.

Për GA103 dhe GA104 thuhet se janë produkte 7nm, megjithëse burimi i këtyre informacioneve nuk përmend nëse pjesët e përmendura vijnë nga objektet e TSMC apo Samsungut.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme