Tech

Apple së shpejti arrin shifrën prej dy miliardë iPhone të shitur

IPhone i parë u prezantua 13 vjet më parë dhe që atëherë është bërë produkti më i rëndësishëm i Apple, duke e mundësuar pjesën më të madhe të fitimeve të kompanisë. Telefoni, i cili gjithashtu i ka ndryshuar ndjeshëm trendët në industrinë mobile, është afër një suksesi tjetër - shitjes së dy miliardë njësive.

Tetë analistë të ndryshëm të tregut pretendojnë se kompania me seli në Cupertino është afër shitjes së dy miliardë iPhoneve këtë vit. Apple është në rrugën e duhur për t’i shitur 195 milionë telefona gjatë vitit fiskal 2020, gjë që është dukshëm më shumë se 186 milionët e parashikuar, shkruanKOHA Ditore. Kjo u ndikua dukshëm nga shitjet e mira gjatë festave. Nëse gjithçka shkon siç është planifikuar, shitjet totale të iPhone që nga viti 2007 do të duhet të arrijnë në rreth 1.9 miliardë modele.

Edhe pse shitjet e përgjithshme të iPhone kanë shënuar rënie në periudhën 2015-2018, pritet që Apple të regjistrojë të ardhura rekorde prej 275 miliardë dollarësh. Për pjesën më të madhe të këtyre fitimeve janë meritore modelet e iPhone, por kontribut të madh japin edhe shërbimet si App Store, Apple Pay dhe Apple Music, të cilat çdo vit shënojnë rritje.

Përveç kësaj, gjatë vitit 2020, pritet që Apple ta prezantojë edhe një iPhone 9 më të lirë, si dhe telefonin e vet të parë 5G, gjë që do ta rrisë ndjeshëm mundësinë që shitjet e iPhone të kthehen në fazën e rritjeve dhe që deri në fund të vitit të arrihet shitja totale e dy miliardë iPhoneve.