Tech

Instagrami në të ardhmen do ta kërkojë futjen e datës së lindjes gjatë regjistrimit të shfrytëzuesve të rinj

Instagrami do të kërkojë nga anëtarët e vet të rinj që gjatë regjistrimit ta shkruajnë datën e lindjes, pasi që planifikon të sjellë më shumë përmbajtje që u përshtaten grupmoshave specifike.

Ky rrjet social për shpërndarje të fotografive tashmë kërkon që përdoruesit të jenë të paktën 13 vjeç për të krijuar llogari, shkruan BBC News.

Datat e lindjes do t'i ndihmonin kompanisë të reklamonte shpallje për produkte specifike të cilat nuk janë të destinuara për fëmijët, shkruan KOHA Ditore. Këto informacione do ta ndihmojnë Instagramin që ta ndalojë shfaqjen e reklamave për bixhoz, alkool dhe kontroll të lindjes.

Megjithatë, nga Instagrami thonë që reklamimi nuk qëndron prapa këtij ndryshimi, dhe theksuan se në javët e ardhshme do t’i inkurajojnë përdoruesit e rinj që t’i përshtatin konfigurimet e tyre të privatësisë.

"Kërkimi i këtyre informacioneve do të ndihmojë në parandalimin që fëmijët t’i bashkohen Instagramit, do të ndihmojë në mbajtjen e të rinjve më të sigurt dhe mundësimin e përmbajtjeve përgjithësisht më të pasura që janë të përshtatura për grupmoshat specifike", theksoi kompania në blogun e saj.

Të kuptuarit e grupmoshës është mjaft i rëndësishëm për punën që e bëjnë, thanë ata, dhe jo vetëm për të krijuar përvoja të përshtatshme për moshat përkatëse, por edhe për ta përmbushur rregullin shumëvjeçar për të mos u lejuar qasje fëmijëve.