Tech

Disqet SSD po hyjnë në epokën e modeleve terabajtëshe (TB)

Muri i fundit mbrojtës i hard disqeve mekanike para teknologjisë shumë më të shpejtë dhe të sigurt NAND flash është kapaciteti i lartë dhe kostoja më e ulët për GB të hapësirës së lirë. Megjithatë, edhe ky mur ngadalë po shembet pasi që teknologjia e prodhimit të flash memories po përparon çdo ditë.

Momenti kur hard disqet do të vendosen përgjithmonë në raftet e muzeut po afron, ndërsa lajmi i fundit nga Hynix konfirmon se kjo do të ndodhë shumë më shpejt nga sa presim shumica prej nesh, raporton ITHome.

SK Hynix, një nga prodhuesit kryesorë botërorë të memorieve, i ka lansuar modelet e para paraprodhuese të pajisjeve SSD të bazuara në memorien 4D NAND të prodhuara me 128 shtresa. Produktet testuese u janë livruar partnerëve kryesorë Hynix me qëllim të testimit të karakteristikave të tyre të punës, dhe bëhet fjalë për flash diskun me kapacitet 1 TB, SSD diskun me kapacitet 2 TB të ashtuquajtur pajisje klient, të cilin të gjithë e përdorim sot në PC-të tona dhe SSD modelin e destinuar për ambient biznesi, me një kapacitet prej madje 16 TB.

SK Hynix ka filluar prodhimin masiv të çipave 128-shtresor 1Tb TLC NAND gjatë qershorit të këtij viti. Këtë muaj ka livruar modulet e para terabajtëshe UFS 3.1 për nevojat e prodhuesve të telefonave mobilë dhe atë pikërisht bazuar në teknologjinë 128-shtresore 4D NAND, shkruan KOHA Ditore. Meqë modelet e deritanishme të SSD disqeve prej 1 TB e kërkojnë përdorimin e një numri të madh të çipave, me memoriet e reja SK Hynix numri i çipave të nevojshëm është përgjysmuar. Gjithashtu, edhe dimensionet fizike janë zvogëluar, sepse ato janë të holla vetëm 1 mm dhe prandaj janë ideale për t’u përdorur në modelet e smartphonëve ultra të hollë 5G.

Supozohet që telefonat mobilë me gjeneratën e ardhshme të flash memories do të shfaqen në treg në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.