Pasi që u shfaqën disa informacione të rrjedhura, Blizzard ka prezantuar edhe zyrtarisht Diablo IV gjatë BlizzConit. Kompania e filloi konferencën e saj me një trailer mbresëlënës dhe brutal gotik, i cili i ofron pamjet e para se si do të duket loja RPG, raporton Engadget.
Blizzard ka konfirmuar se Diablo IV do ta paraqesë rikthimin në versionin e errët, gotik, mesjetar të Ferrit nga seria Diablo. Mund të priten luftra brutale për të cilat njihet franshiza, numër i madh i monstrumëve dhe numër i madh i gjësendeve dhe pajisjeve për grumbullim.
Diablo IV do ta mbështesë lojën e pavarur dhe atë kooperative, ndërkohë që është e mundur të hasim edhe në lojtarë të tjerë me të cilët është i mundur ballafaqimi në luftën PvP. Deri më tani janë konfirmuar tre klasa: Barbarian, Sorceress dhe Druid, shkruan KOHA Ditore. Personazhet do të mund të përshtaten, ndërsa Blizzard premton gameplay dhe progresion të pafund.
Ngjarja e lojës Diablo IV zhvillohet shumë vite pas Diablo III. Loja nuk ka ende datë të lansimit, por është paralajmëruar për PC, PlayStation 4 dhe Xbox One.