Teknologjia gjermane lakon fletët e xhamit në kënde të drejta

Teknologjia gjermane lakon fletët e xhamit në kënde të drejta

14 October 2019 11:15

Zakonisht, nëse një dritare kalon rreth këndit të një ndërtese, ajo bëhet nga dy panele të rrafshëta xhami që bashkohen së bashku me një binar metalik ose ngjitës. Tani, megjithatë, shkencëtarët gjermanë e kanë zhvilluar një metodë të lakimit të një flete të vetme xhami në një kënd prej 90 shkallësh - pa ndikuar në vetitë e tij optike.

Edhe pse panelet e xhamit tashmë mund të nxehen dhe pastaj të lakohen deri në një masë të caktuar, këndet shumë të mprehta nuk kanë qenë të mundshme më parë. Për më tepër, për shkak se procesi i zakonshëm e përfshin ngrohjen e tërë fletës deri në atë pikë sa të bëhet e butë dhe e lakueshme, deformimet mund të formohen në pikat ku xhami mbështetet në furrë.

Për t’i kapërcyer këto kufizime, studiuesit e Institutit Fraunhofer për Mekanikë të Materialeve e krijuan një teknikë e cila fillon me vendosjen e një paneli të rrafshët xhami në një furrë që është paranxehur në rreth 500 ºC, shkruan Koha Ditore. Kjo është pikërisht nën “pikën e tranzicionit”, në të cilën xhami bëhet i lakueshëm, ashtu që mbështetësit e furrës të mos prodhojnë deformime.

Një laser i drejtuar me pasqyrë më pas përdoret për ta ngrohur xhamin pak më shumë, por vetëm përgjatë një linje të drejtë e cila kalon në mes të fletës - pjesa tjetër e panelit qëndron në 500 shkallë. Si rezultat, xhami bëhet i butë vetëm përgjatë asaj linje. Kur mbështetësit hiqen më pas nga njëra anë e panelit, graviteti bën që fleta të përkulet përgjatë vijës së zbutur, duke shkuar në mënyrë natyrale në një kënd prej 90 shkallësh. Sapo që xhami i përkulur të ftohet, ai përsëri bëhet plotësisht i ngurtë.

Image

Duke i përdorur pajisjet e tyre të tanishme laboratorike, shkencëtarët deri më tani kanë qenë të kufizuar në panelet që janë maksimalisht një metër katror. Prandaj ata janë në kërkim të partnerëve industrialë që mund të jenë të interesuar në komercializimin e teknologjisë për përdorim me panele më të mëdha.

Shpresohet që sistemi i lakimit të xhamit me kohë do të mund të gjejë aplikime jo vetëm në arkitekturë, por edhe në fushat si mjekësia, ku mund të përdoret për të prodhuar sipërfaqe xhami pa zbrazëtira, të cilat janë rezistuese ndaj kolonizimit nga mikrobet.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme