Tech

MSI Alpha 15, laptopi i parë për gaming me GPU AMD Navi

Së bashku me njoftimin e AMD-së për kartelat grafike Radeon RX 5500, MSI e ka prezantuar laptopin për gaming Alpha 15. Bëhet fjalë për laptopin e parë për gamerë i cili në vete e përmbanë kartelën grafike Navi/RDNA, me çka AMD-ja po kthehet definitivisht në tregun e kartelave grafike mobile, raporton Overclock3D.

MSI Alpha 15 pritet të dalë në treg këtë muaj, me një çmim prej 999 dollarëve. Laptopi do të ketë procesor AMD Ryzen 7 3750H, deri në 16 GB memorie DDR4 2400MHz, ekran 15.6 inçësh Full HD FreeSync me rifreskim prej 120Hz ose 144Hz, deri në 512 GB hapësirë për ruajtje NVMe dhe një tastierë të ndriçuar.

Modeli 999 dollarësh do të ketë tastierë me një zonë të ndriçuar, ekran 120Hz dhe RAM prej 8 GB, ndërsa modeli 1,099 dollarësh do të ketë tastierë SteelSeries RGB, 16 GB memorie sistemore dhe ekran prej 144Hz, shkruan KOHA Ditore. Të dy modelet kanë lidhje Wi-Fi 5, mbështetje Bluetooth 5.0 dhe Killer Ethernet.

AMD pohon se kartela grafike Radeon RX 5500M ofron deri në 30% performancë më të mirë sesa Nvidia GTX 1650 GPU, me 60+ FPS në shumicën e titujve më modernë @1080p. Përveç kësaj, MSI e ka përmirësuar teknologjinë e vet të ftohjes me Cooler Boost 5, gjë që do të sigurojë performanca optimale të ftohjes dhe zhurmë minimale për laptopin Alpha 15.

MSI është prodhuesi i parë i laptopëve i cili e publikon një pajisje me harduer Ryzen Mobile dhe RDNA, por edhe modelet e kompanive të tjera priten së shpejti.