Tech

Facebooku mbyll disa faqe pro-Trumpit që menaxhoheshin nga Kosova

Facebooku ka mbyllur një rrjet faqesh që promovonin patriotizmin amerikan dhe presidentin Donald Trump pasi u zbulua se po menaxhoheshin nga Kosova.

Në faqen “Police Lives Matter” kishte mbi 170,000 ndjekës, e cila shpërndante përmbajtje provokuese virale duke mbështetur policë amerikanë dhe përfshinin faqet me tituj si “All Lives Matter”, “I Support The Police US not Criminals” dhe “Blue Lives Matter USA”, raporton mediumi amerikan “Newsweek”.

Për të tërhequr trafik online, rrjeti, që kishte interaktivitet më të madh social sesa media të ngjashme si “Bloomberg”, “Vox” dhe “BuzzFeed”, drejtonte edhe faqe për kafshë të lezetshme, përfshirë “Happy Animal Club” dhe “3-Minute Animal Stories”, transmeton Koha.net.

Uebfaqja investigative “Popular Information” ka zbuluar se derisa kanë promovuar identitetin amerikan, faqet në të vërtetë ishin duke u drejtuar nga Kosova dhe përfitonin para duke luajtur me emocionet e amerikanëve.

Ndonëse nuk kishin për qëllim të promovonin Trumpin politikisht, ata përdornin dezinformata dhe shpesh shpërndanin material pro-Trumpit, ka shtuar faqja “Popular Information”.

Facebooku është njoftuar për këto faqe më 27 shtator dhe i ka mbyllur që të gjitha.

Në një deklaratë për “Newsweek”, zëdhënësi i Facebookut, Joe Osborne tha: “Kemi hequr faqet që shkelin politikat tona dhe do të vazhdojmë të marrim këso veprimesh kurdo që hasim në keqpërdorime”.

Kjo është hera e dytë në pak javë që gjiganti Facebook është dashur të mbyllë faqe të këtilla, të ndjekura nga miliona amerikanë, që në fakt drejtoheshin nga Evropa Lindore.

Javën e kaluar, pasi “Popular Information” zbuloi se disa faqe po drejtoheshin nga Ukraina, Facebooku hoqi faqet pro-Trump të ndërlidhura me “I Love America”, të cilat përdornin përmbajtje virale nga Agjencia për Hulumtime të Internetit (IRA) me bazë në Shën Petersburg.

Facebooku tha se sikurse faqet ukrainase, as faqet kosovare nuk duket se drejtohen nga shteti apo kanë motive politike por se janë “një grup që merret me spam për përfitime nga përmbajtja politike”.