Tech

Google i përcjell përdoruesit përmes ueb faqeve të fshehta

Edhe pse produktet e Google janë kryesisht falas për përdoruesit, përdoruesit si kundërvlerë ia japin kompanisë një pjesë të informacioneve të tyre private. Këto të dhëna më pas mund të përdoren për qëllime marketingu dhe reklamimi, kështu që nuk është për t'u habitur që shohim gjithnjë e më shumë reklama shënjestruese, raporton Ubergizmo.

Megjithatë, si duket Google ka shkuar një hap më tej kur bëhet fjalë për gjurmimin e përdoruesve, por këtë herë pa dijeninë e tyre. Sipas një raporti nga Financial Times, browseri Brave e ka akuzuar Google se po i përcjell përdoruesit përmes ueb faqeve të fshehta, përmes të cilave merren informacionet e përdoruesve dhe më pas përdoren për qëllime marketingu.

Ky informacion u zbulua fillimisht nga Johnny Ryan – udhëheqës i politikave të privatësisë në Brave, i cili i gjeti ueb faqet e fshehta pasi e pa se të dhënat e tij për përcjellje po tregtoheshin në Authorized Buyers - tregun e aksioneve të marketingut të Google, shkruan KOHA Ditore. Pas kësaj, informacionet e zbuluara iu dërguan autoriteteve rregullatore në Irlandë për hulumtime.

Në përgjigje të këtij zbulimi, një përfaqësues i kompanisë Google theksoi se kompania nuk livron reklama të personalizuara dhe as që bën ankande të përmbajtjeve të tilla pa pëlqimin e përdoruesit.