Tech

Facebooku largon sloganin se "do të jetë gjithmonë falas"

"It’s free and always will be" – që ç’ke me të. Facebooku megjithatë e ka ndryshuar në heshtje sloganin e vet "falas", të cilën e ka përdorur pothuajse që nga themelimi i vet.

Kështu tani faqen fillestare të rrjetit më të famshëm social e zbukuron slogani: "It’s quick and easy (shpejt dhe lehtë)".

Ndryshimi ndodhi në fillim të gushtit, ndërsa nga Facebooku ende nuk janë prononcuar zyrtarisht në lidhje me këtë ndryshim delikat dhe mbase gradual të politikave.

Disa argumentojnë se slogani u ndryshua pikërisht për shkak të të dhënave të përdoruesit, shkruan KOHA Ditore. Në maj, Parlamenti Evropian e miratoi një direktivë e cila e njeh shkëmbimin e të dhënave si një formë pagese.

Meqenëse nga kompania e Zuckerbergut kanë konfirmuar se i përdorin të dhënat e përdoruesve për t’u shitur hapësirë reklamuesve, kjo do të thotë që përdoruesit në fakt "paguajnë" për të drejtën e përdorimit të platformës sociale me të dhënat e tyre. Prandaj, ajo nuk mund të reklamohet si "falas".

Gjithsesi, në politikat e platformës, Facebooku e bën të qartë se "nuk garanton që platforma do të jetë gjithmonë falas".

Në përgjithësi, do të jetë interesante se çfarë do të tregojë koha. A ka të bëjë ndryshimi i sloganit me disa pagesa të fundit apo vetëm me pajtueshmërinë me rregullat (të cilat po vonohen). Mbetet për t’u pare.